Të gjitha partitë në Kosovë, të bindura se i fitojnë zgjedhjet e ardhshme

0
58

Viti 2024 është cilësuar si “vit zgjedhor”. Tashmë partitë e kanë filluar retorikën elektorale, ndërsa AAK-ja e Nisma Socialdemokrate e “thyen akullin”, duke e lidhur koalicionin e parë parazgjedhor. Në krejt këtë mesele, partitë kosovare po tregohen optimistë në lidhje me rezultatin e tyre në zgjedhjet e ardhshme. VV-ja, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, që të gjitha gati njëzëri, janë shprehur se do të jenë fituese të zgjedhjeve, kurdo që ato mbahen.

Madje VV-ja beson se gara është e ashpër vetëm për vendin e parë, pasi fituesi i zgjedhjeve dihet që nga tani. Vartësi numër një i Albin Kurtit në hierarkinë e VV-së, Glauk Konjufca, vlerësoi ditë më parë se “gara do të jetë e ashpër” për numrin dy në skenën politike të Kosovës.

“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash. S’është befasi. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën. Po ndodh sërish. Vetëm u uroj suksese. Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, sondazhet janë, opinioni po hulumtohet vazhdimisht edhe prej organizatave, edhe prej partive që po i porosisin këto sondazhe. Rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për numrin dy në skenën politike të Kosovës” – deklaroi disa ditë më parë Konjufca, raporton Nacionale.

PDK-ja e LDK-ja kanë një narracion të ngjashëm, i cili lidhet sërish me suksesin e tyre të pretenduar në zgjedhjet e ardhshme. Këto dy parti janë të bindura që Kurti nuk do të jetë më kryeministër.

Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar në PDK, theksoi se mandatari i kësaj partie do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme.

“Ne si PDK besojmë se VV-ja nuk do t`i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të bindur që mandatari ynë do të jetë person fitues i atyre zgjedhjeve. Ne jemi të bindur, ashtu siç kemi befasuar në zgjedhjet lokale, që prej parashikimeve që PDK-ja del me 2 komuna, kemi shku me numrin më të madh të komunave. Prapë jam i bindur që mandatari ynë për kryeministër, kryetari i PDK-së, do ta marrë numrin më të madh të votave dhe do të arrijë me e pasë mandatin për themelimin e qeverisë”- ka thënë Tahiri.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, vlerësoi se viti 2024 është viti i fundit që Kurti do të jetë kryeministër, duke lënë të nënkuptohet se LDK-ja do të jetë triumfuese në zgjedhje.

“Është viti i fundit, maksimumi i mundshëm deri kur do të jetë në pushtet z. Kurti është tash e një vit, pra një vit i plotë. Por zgjedhjet do të duhet të shpallen deri në fund të shtatorit dhe të mbahen diku në fillim të janarit ose të shkurtit të vitit 2025”- ka thënë Gashi.

Kohë më parë Lumir Abdxhiku, kryetar i LDK-së, ishte shprehur i bindur se partia e tij do ta mposhtë Kurtin në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ishte goxha optimist në një paraqitje televizive pas zyrtarizimit të koalicionit me Nismën. Sipas Lekajt, ky koalicionin do të jetë çelësi për formimin e qeverisë së ardhshme.

“Mendoj që deri mbi 20 deputetë…. Asnjë subjekt politik mendoj se nuk ka me mujtë me e formu qeverinë pa koalicion me këto dy subjekte, Aleancë dhe Nismë…Do të jemi çelësi i qeverisjes së ardhshme. Do të jemi prezentë, do të flasim prapë dhe do e shohim se sa deputetë do t’i kemi. Duke u bazuar në krejt vlerat që i kanë dy kryetarët, Haradinaj dhe Limaj mendoj se në këto dy subjekte kanë njerëz kombëtarë, me vizion të qartë për vendin që e kanë dëshmuar edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, edhe në qeveri” – deklaroi Lekaj në emisionin “Dpt te Fidani” në ATV.

Përkundër këtyre pretendimeve absolutiste, një gjë është e sigurt: në zgjedhjet e ardhshme do të ketë vetëm një fitues. Mbetet të shihet se cila do të jetë ajo parti. /Mirlind Behluli, nacionale/