Parkimet e gabuara/ Durrës, makinat bllokojnë edhe vizat e bardha, qytetarët: Janë të rrezikshme

0
43

Në shumë rrugë të Durrësit, kryqëzimet dhe vijat e bardha bllokohen nga makinat e parkuara gabim, duke u kthyer në një shqetësim real për përdoruesit e rrugës.

Kodi Rrugor shkelet, ndërsa masat për lirimin e kryqëzimeve dhe vendeve të tjera të palejuara për parkim nuk janë të vazhdueshme.  Qytetarët ndjehen të pasigurtë.

 “Të rrezikshme janë, po çfarë të bëjmë?! Kështu funksionon.”

  “Jashtë rregullat janë standarde dhe ne po shkojmë drejt Europës. 10 metra ka vijën kufitare, duhet të ndalojë makina dhe këmbësorët duhet të respektojnë vijat e bardha që të mos bëhen aksidente. Ja vijat e bardha, e ka fajin ai shoferi. Polici i bashkisë ta shohë… Ajo mund të më vejë në rrezik.”

  “Ja bllokohen, çfarë t’i bëjmë ne. Ku ka semafor këtu?! Vetëm një atje te stacioni i trenit.”

 “Ka qenë një parrullë dikur Beso, kontrollo dhe kalo”, thanë qytetarët.

Parkimet e gabuara janë kthyer në fenomen dhe burim rreziku, ndaj qytetarët kërkojnë  përgjegjshmëri në përdorimin e rrugës nga të gjithë.

 “Mjafton që çdokush të zbatojë rregullat. Të gjithë I dinë por ai që nuk do i shkel…

  “Policia s’do të rri derë më derë. I pari unë, që të gjithë ne duhet.”

  “Shpresoj të ndërgjegjësohen dhe këmbësorët dhe ata që kanë automjetet”, shprehen qytetarët.

Në një qytet me qarkullim të madh, si Durrësi, problem mbetet dhe parkimi i automjeteve të prishura për një kohë të gjatë buzë rrugëve, apo dhe ai i automjeteve që jepen me qira nga zotëruesit e tyre.

Në rrugët dytësore parkimet e gabuara janë dhe më të pranishme duke shkaktuar kaos. Ndërkohë ka dhe rrugë ku vijat e bardha janë zbehur e bërë thuajse të padukshme. Si pjesë e rëndësishme e sinjalizimit rrugor ato duhet të jenë të lira dhe të mirëmbahen nga autoritetet përgjegjëse për të rritur sigurinë në rrugë.


Top Channel