Dhunimi i 10 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria ende nuk interviston asnjërën palë – Telegrafi

0
52

Intervistimi nga ana e Prokurorisë i palëve të përfshira në rastin e dhunimit të 10 vjeçares në Gjakovë, ka mbetur peng i ekzaminimit psikiatrik të të dyshuarve, të cilin e ka urdhëruar Gjykata.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ende nuk ka intervistuar asnjë nga të dyshuarit, për dhunimin seksual të 10 vjeçares, që ndodhi në tetor të vitit të kaluar.

Madje, prokurori ende nuk ka marr në pyetje, as viktimën nën arsyetimin se janë në pritje të raporteve të ekzaminimit psikiatrik për dy të dyshuarit.

Y.B dyshohet për veprën penale “dhunimi”, e nëna e viktimës V.H, për veprën “keqtrajtimi apo braktisje e fëmijës”.

Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se përveç urdhëresës së lëshuar nga Gjykata për ekzaminim psikiatrik ndaj të pandehurve, është lëshuar urdhëresë edhe për ekzaminim të telefonave e provave të tjera materiale.

“Urdhëresa është lëshuar nga Gjykata, pasi që avokatët e të pandehurve kanë prezantuar raporte mjekësore që vënë në pikëpyetje përgjegjësinë penale të tyre, ndërsa deri me sot ende nuk kemi pranuar ekzaminimin e të pandehurve. Po ashtu Prokuroria Themelore në Gjakovë, pas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, menjëherë ka lëshuar urdhëresë për ekzaminimin e telefonave dhe provave tjera materiale dhe ende nuk e kemi pranuar raportin e ekzaminimeve nga Agjecioni për Forenzik i Kosovës, andaj në mungesë të këtyre provave nuk janë intervistuar të pandehurit si dhe e dëmtuara. Me të pranuar këto raporte do të bëhet intervistimi i të pandehurve si dhe i të dëmtuarës.”

Avokati i të dyshuarit për dhunim, thotë se rastet e tilla do duhej të trajtoheshin me prioritet nga ana e Instituti, ose të dërgohen në ndonjë institucion tjetër, meqë kjo shkakton vonesa në hetim.

“Nuk mund të zhvillohet një procedurë një masë e sigurisë e paraburgimit në afat të pacaktuar për tu pritur që të behet një ekzaminim, që ti nënshtrohet një i pandehur dhe kjo e krijon një hendek, gjatë zhvillimit të hetimeve dhe normalisht që edhe ka probleme, kemi të bëjmë me ngadalësim të procesit, dhe mos nxjerrja e provave në kohën e duhur”, tha avokati i të dyshuarit, Meshari Selimaj.

Sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë rastet kur janë të përfshirë të miturit duhet të kryhen në kohë sa më shpejtë, e sidomos kur vepra penale është e rëndë.

“Ka raste të shumta pra jo rrallë herë institucionet kanë dështuar në trajtimin me kohë të këtyre rasteve, dhe në trajtimin në formë profesionale kjo pastaj shkakton pasoja të shumta si në aspekt të riviktimizimit të viktimës por edhe mundësinë e zbardhjes së duhur të rastit të trajtimit në mënyrën e duhur të gjitha elementet që paraqiten në trajtimin e rastit”, tha Arrita Rezniqi nga IKD.

Prokuroria në Gjakovë kishte nisur hetimet për këtë rast në tetor të vitit të kaluar, derisa së fundmi dy të dyshuarve iu është zëvendësuar masa e paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak.

Ky vendim i Themelores është apeluar nga Prokuroria në këtë komunë./RTV Dukagjini/