Kurti në Shkup: Kosova gati me reformat për planin e rritjes së BE-së prej 6 miliardë euro – Telegrafi

0
50

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapje të samitit të BE-së, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Shkup, tha se ky është një takim i rëndësishëm.

Ai tha se në këtë takim gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e takojnë BE-në për planin e rritjes

“Brukseli dhe Washtingoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë.

“Kosova sot do të dorëzoj listën e reformave të diskutuara e në ditët në vijim do të dorëzojmë listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave në qendër kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, kurse të projekteve kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimin në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturore”, tha Kurti.

Kurti falënderoj BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim.

“Dua të falënderoj BE-në, SHBA-të dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim të rëndësishëm, që do të mundësoj sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së që është edhe qëllimi edhe fati ynë”, tha Kurti. /Telegrafi/