Inzaghi në telashe, ndaj Fiorentinës pa dy mesfushorë titullarë

0
49

Interi do të rikthehet në të luajë në kampionat mbrëmjen e të dielës në transfertën ndaj Fiorentinës, pas triumfit në finalen e Superkupës së Italisë me rezultazin 0-1 ndaj Napolit, teksa trajneri Simone Inzaghi do të duhet të bëjë llogaritë me dy mungesa të sigurta.

Kështu turku Hakan Calhanoglu dhe Nicolo Barella kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do të udhëtojnë me skuadrën drejt Firences, duke bërë që nga treshja e titullarëve të mbetet vetëm Mkhitaryan.

Calhanoglu mori karton të verdhë në transfertën ndaj Monzës, duke plotësuar numrin, ndërsa Barella u ndëshkua për protestë në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Napolit.

Asllani dhe Frattesi pritet të zëvendësojnë dy futbollistët në fushë, në një sfidë mjaft delikate për zikaltrit, të cilët do të kërkojnë të marrin fitoren për të mos humbur terren ndaj Juventusit, një javë para derbit të Italisë.

Pikërisht në këtë sfidë, të planifikuar për më 4 shkurt, Simone Inzaghi do të mund të rikthejë në fushë si Barellën, ashtu edhe Calhanoglu, të cilët do të kenë mundësi të çlodhen për më shumë se 10 ditë për të qenë në formë optimale në derbin ndaj Juventusit.


Top Channel