SHPËRNDAJE

Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka pohuar se në Bruksel do të diskutohet për çështjen e Luginës së Preshevës.

“Sigurisht se po. Serbia e ka për obligim që t’i respektojë dhe t’i afirmojë të drejtave e komuniteteve, në këtë rast të shqiptarëve në përputhje me standardet më të larta evropiane. Fatkeqësisht, Serbia është ende shumë larg përmbushjes së këtyre standardeve kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar ai.

Prandaj, sipas Çollakut, Kosova në mënyrë krejt legjitime dhe transparente do të vazhdojë t’i adresojë problemet e shqiptarëve që jetojnë atje, duke përfshirë edhe bisedat formale me autoritetet qeveritare të Serbisë, qoftë në kuadër të dialogut të Brukselit ose forume të tjera ndërkombëtare.

I pyetur lidhur me atë se cila do të jetë zgjidhja që do t’i bëhet Luginës, Çollaku ka thënë se këtu bëhet fjalë për adresimin e problemeve të shumta që ndërlidhen me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Problemet janë të natyrave të shumta, duke filluar nga respektimi i të drejtave elementare njerëzore e deri tek ato kombëtare e politike”, ka shtuar ai. Kurse, i pyetur nëse do të diskutohet në Bruksel për ndarje të Kosovës ose për shkëmbim territoresh, Çollaku duke mos treguar i ka cilësuar paragjykime opsionet e tilla.