“Shqiptarët bashkë”, Kurti foto me Ramën: Të jemi krah njëri-tjetrit

0
42

Me foto nga takimi i tyre, i mbajtur në margjinat e samitit të liderëve të rajonit për Planin e Rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor të BE-së, Albin Kurti përcolli edhe një mesazh.

“Duhet të jemi në krah të njëri-tjetrit”, thotë kryeministri i Kosovës teksa shihet aty në një bisedë të përzemërt me kryeministrin e Shqipërisë, Edia Rama dhe kreun e e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, njëkohësisht kryebashkiaku i Gostivarit, Arben Taravar. Më shumë sesa fat, thotë Kurti, shqiptarët e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje.

“Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, ishte mesazhi i tij. Rama dhe Kurti ishin ulur krah njëri tjetrit në Shkup, dhe komunikimi normal mes tyre u interpretua si shenjë e faktit që pavarësisht disa përplasjeve mes tyre, po shihet një vullnet në rritje për bashkëpunim në të mirë të vendeve, e si shembull i kësaj përmendet dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Prishtinë ku Kosova dhe Shqipëria janë zotuar për realizimin e projektit.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor sakaq synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.


Top Channel