SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së fundmi ka folur për korrigjimin e kufijve të vendit dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. E ideja e korrigjimit të kufijve, në vendin tonë ka ngjallur shumë reagime. Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është koha që të bëhet kompromis me Kosovën.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se situata është e atillë që çështja e Kosovës të zgjidhet me kompromis, duke theksuar se nuk do të ketë asnjëherë rrethana më të mira për ta bërë këtë.

Po ashtu, Daçiq ka thënë se kanë ndryshuar pozicionet e Rusisë, ajo është bërë superfuqi dhe ka marrëdhënie shumë më të afërta me Serbinë se para 20 vjetësh dhe se ka ndryshuar Amerika e politika e saj e jashtme.

Sipas fjalëve të tij, është hapur mundësia për dialog pasi Serbia ka realizuar marrëdhënie më të afërta me Gjermaninë, Francën e Turqinë ndërsa me Kinën është bërë partnere strategjike.

“Në këtë fazë kemi situatën kur Bashkimi Evropian po vëren se problemi kryesor për arritjen e kompromisit janë shqiptarët. Shqiptarët po duan që ne ta njohim Kosovën, plus nëse munden, ta marrin edhe Medvegjën, Preshevën… kjo do të ishte ideale për ta. Në këtë situatë, hapet mundësia që të arrihet zgjidhja e kompromisit. Nëse tashmë ka dialog, në dialog duhet të keni një propozim”, citohet të ketë thënë Daçiq.

Ai ka theksuar se ardhja e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Wess Mitchel, ka qenë ngjarja kryesore që e ka ndryshuar qëndrimin në administratës amerikane.

“Në këtë kuptim, është me rëndësi se të gjithë përfaqësuesit e administratës amerikane kanë qasje të tillë se problemi i Kosovës nuk është zgjidhur, përkatësisht se duhet bërë përpjekje që me dialog të arrihet marrëveshja që do të ishte në interes për të gjitha palët dhe kështu të mbarojë ky rrëfim”, ka thënë Daçiq.