SHPËRNDAJE

Ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim” të kufijve është në kundërshtim me Nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë se Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera.
Në Zyrën e Presidentit thonë se është e qartë se nëse arrihet marrëveshje që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kërkesa e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për “korrigjim” të kufijve është në kundërshtim me Nenin e parë të Kushtetutës së vendit. Madje kjo përveç nga juristët konfirmohet edhe nga vetë Zyra e Presidentit.

Por derisa juristët thonë se kjo është një ide e rrezikshme, pasi sipas tyre dobëson edhe pozitën negociuese të Kosovës, Zyra e Presidentit thotë se në rast se arrihet marrëveshja me Serbinë në përputhje me opsionin për korrigjim të kufijve, që do të mundësonte bashkimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i presidenti të vendit, ka thënë për gazetën “Zëri’ se është e qartë se ndryshimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe se nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta.