SHPËRNDAJE

Politikanët serbë në Kosovë e konsiderojnë të rrezikshme idenë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë, si zgjidhje e cila do të sillte normalizim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Nenad Rashiq, që udhëheq me Partinë Progresive Demokratike dhe ka përvojë të gjatë në institucionet e Kosovës, ka thënë se ndryshimi i kufijve nuk do të mundë të kalonte pa përshkallëzim të situatës. Sipas tij, shtyrja dhe promovimi i ideve të tilla përbëjnë kërcënim edhe për sigurinë në Ballkan.

“Çfarëdo forme e ndarjes është ideja më e keqe që mund të ndodhë aktualisht. Shkëmbimi i territoreve paraqet rrezik real për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon. Asnjëherë nuk janë ndryshuar kufijtë, të themi, pa pasur tensione dhe konflikte”, ka thënë për gazetën ish-ministri dhe deputeti, Rashiq. Nëse palët hyjnë në diskutime të tilla, ai parashikon probleme për bashkëkombësit e tij që jetojnë në jug të lumit Ibër.

“Nëse bëhet ndonjë ndarje sipas planeve që i kanë ata (politikanët në Kosovë dhe Serbi v.j.), kjo do të ndikonte direkt në jetën e qytetarëve serbë në jug të Mitrovicës. Pra këto janë ide të rrezikshme nga shumë aspekte”, ka shtuar Rashiq.