Nis Forumi i biznesit në Kosovë, Panxha: Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar pozitës së gruas në ekonomi – Telegrafi

0
39

Në ditën e dytë të Forumit të biznesit në Kosovë, “Kosova Business Forum”, drejtori ekzekutiv i saj, Astrit Panxha tregoi se cilat do të jenë temat e diskutimit.

Para të pranishmëve, Panxha tha se qëllimi i këtij forumi është që t’i bëjë bashkë të gjithë pjesëmarrësit nga sektori privat, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare që janë duke bërë punë të mirë në fuqizimin e ndryshuesve.

Ai theksoi se në këtë forum folësit do të shtjellojnë tema të rëndësishme që lidhen me ekonominë.

“Do të flasim për klimën e investimeve, për platformën e projekteve që do t’i prezantojnë përfaqësuesit e kryeqytetit të Kosovës se çka ofron Prishtina për investime”, u shpreh Panxha.

Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e Forumit i është kushtuar gruas sepse “besojmë që fuqizimi i gruas në ekonominë e Kosovës është vendimtar që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”.

“Kemi prekur sektorë të ndryshëm të ekonomisë së Kosovës. Ne besojmë që në vitin 2024 duhet të fokusohemi në dy shtylla kryesore sa i përket ekonomisë; tërheqja e investimeve të huaja direkte dhe qasja institucionale ndaj investitorëve”.

Panxha tutje tregoi se Forumi do të mbahet çdo vit në janar, ku do të diskutohet se cilat janë sfidat për vitin që pason. /Telegrafi/