SHPËRNDAJE

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, si dhe paralajmërimet e tij për organizim të referendumit për këtë çështje po vlerësohen si manipulime. Opozita dhe shoqëria civile thonë se këto deklarata kreu i shtetit po i bën për t’i arsyetuar koncesionet që do të bëhen në kuadër të dialogut.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj ka thënë se ka disa ditë që presidenti i vendit po thotë fjalë të papërgjegjshme, të pamatura dhe po krijon përshtypjen sikur po vepron me agjenda të dikujt tjetër, jo në interesa të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit të Kosovës.

“Ne jo vetëm që nuk kemi ligj për referendumin, por kemi edhe një nen në kuadër të Kushtetutës, i cili ia ndalon Kosovës të ketë pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj ose t’i bashkohet ndonjë shteti fqinj. Sjellja e tij sikur dëshmon që Thaçi ka hyrë në aventura të rrezikshme, të paparashikueshme”, ka deklaruar ai teksa ka komentuar paralajmërimin e Thaçit për referendum.