SHPËRNDAJE

Dikujt Lugina e Preshevës mund t’i duket e vogël dhe e parëndësishme, dikush përpiqet ta paraqes si “gogol” për t’i frikësuar të tjerët, e dikush e pështjellon gjithë këtë temë me spekulime nga më të ndryshmet për interesa klanore politike. Përtej këtyre tezave qëndron Lugina e Preshevës si pjesë e pashkëputur gjeografike dhe demografike e Kosovës, por akoma e paçliruar, pa perspektivë, e privuar nga të drejtat elementare njerëzore dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të sigurisë.

Shkruan: Shaqir Shaqiri

Ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën është ide dhe angazhim që bartet brez pa brezi, ku preshevarët (preshevarë, bujanocali dhe medvegjali) që nga Lidhja e Prizrenit, kryengritja e madhe kundër Perandorisë Osmane, luftës kaçake kundër mbretërisë serbo-kroato-sllovene, luftës kundër çetnikëve serb, organizimit politik ilegal dhe legal pas LDB-së, luftës së UÇK-së dhe së fundi edhe luftës së UÇPMB-së u përpoqën dhe luftuan për liri dhe bashkim kombëtar.

Prandaj, deklarimin e presidentit të Kosovës duhet ta kuptojmë si obligim institucional që ka Kosova karshi shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe territorit të saj në tërësi dhe si gatishmëri për t’u përballur institucionalisht me këtë problematikë.
Deklarimin e presidentit të Kosovës, z. Thaçi për “korrigjimin e kufirit”, duke e plotësuar pastaj se “nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka shkëmbim të territoreve, por Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës”, dhe duke qenë korrekt ai thotë se: “kuptohet nëse arrihet pajtueshmëri”, para se të ngriheshin zëra pro et kontra, kjo çështje do të duhej të trajtohet për nga qasja. Pra si do t’i qaset z. Thaçi këtij problemi? Përndryshe, deklarimi i kësaj ideje, duhet ta kuptojmë si gatishmëri institucionale dhe shtetërore për të marr përsipër angazhime absolutisht sfiduese jo sa për të bërë një korrigjim të kufirit por për të mundësuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i bashkohen trungut kombëtarë nga i cili u ndan padrejtësisht dhe pa vullnetin e tyre.

Dikujt Lugina e Preshevës mund t’i duket e vogël dhe e parëndësishme, dikush përpiqet ta paraqes si “gogol” për t’i frikësuar të tjerët, e dikush e pështjellon gjithë këtë temë me spekulime nga më të ndryshmet për interesa klanore politike. Përtej këtyre tezave qëndron Lugina e Preshevës si pjesë e pashkëputur gjeografike dhe demografike e Kosovës, por akoma e paçliruar, pa perspektivë, e privuar nga të drejtat elementare njerëzore dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të sigurisë.

Të mos harrojmë se preshevarët bashkë me kosovarët ishin në demonstrata të 1968, në demonstrata të 1981, në themelimin e UÇK-së dhe në vet luftën e lavdishme të saj. Të mos harrojmë se sot preshevarët bartin pasojat e burgut për “Kosovën Republikë”, preshevarët në trupin e tyre sot bartin plagët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës le të kenë në mendje turpin dhe padrejtësinë që sot po bëhet kundrejt tyre, shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Institucionet dhe ligjet e Kosovës janë po aq përjashtues sa më vjen vështirë t’i njëjtësoj me ato të Serbisë. Preshevarët edhe pse u dergjen burgjeve për Kosovën Republikë, edhe pse bartin plagët e luftës së UÇK-së për liri, ata nuk gëzojnë të drejtën dyshtetësisë dhe të pajisen me shtetësinë e Kosovës. Edhe më keq, shumë të dëbuar nga Serbia e që kanë gjetur strehë në Kosovë, kanë mbetur pa asnjë lloj dokumenti identifikimi. Serbia i ka shlyer nga sistemi i regjistrimit ndërsa Kosova ligjërisht ironizon me fatin e tyre (për mos me thënë luan topa me ta).

Prandaj, ideja për të shtruar në tavolinën e bisedimeve çështjen e pazgjidhur të Luginës së Preshevës, së pari duhet të ketë një qasje shumë serioze dhe të përkrahet pa rezervë nga spektri politik kosovarë dhe shqiptarë në përgjithësi. Në veçanti, por jo vetëm deklarativisht, duhet të përkrahet nga spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës, të cilët para se gjithash duhet t’i bëjnë gati argumentet se pse duhet të shtrohet çështja e Luginës së Preshevës në tavolinën e bisedimeve dhe pse duhet të bëhet bashkimi i saj me Kosovën.
Pra ne jemi të vetëdijshëm se z. Thaçi, edhe nga pozita e presidentit dhe kryenegociatorit eventual, nuk mundet i vetëm ta bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovës, sepse ky nuk është problem që mund të zgjidhet njëanshëm. Ky problem kërkon angazhim serioz, argumente serioze, unitet serioz dhe krejt në fund qasje serioze dhe të vendosur të spektrit politik shqiptar, me qëllim që palët në tavolinë të binden se një vendim i tillë i shërben stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në rend të parë të këtyre shteteve dhe se merret mbi një vendim plebishitar të shprehur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës në Mars të vitit 1992.

Deklarimi për “korrigjim të kufirit dhe që Lugina e Preshevës do t’i bashkëngjitet Kosovës”, sigurisht që ngritë shumë dilema, por ideja për të dialoguar për çështjen e Luginës së Preshevës, nuk është në kundërshtim me asnjë normë ndërkombëtare, nuk është në kundërshtim as me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk është në kundërshtim as me idealin e luftës së shenjtë të UÇK-së. Ç’të keqe ka nëse dialogohet për çështjen e pazgjidhur të Luginës së Preshevës dhe të kërkohet bashkimi i saj me Kosovën? Ç’të keqe ka nëse për këtë arrihet pajtueshmëri e palëve dialoguese dhe diçka e tillë vërtetë ndodhë (edhe pse unë dyshojë)? Unë besoj se po të ndodhte diçka e tillë, ligjvënësit kosovarë nuk e kanë të vështirë të ndryshojnë Kushtetutën dhe për të ngërthyer brenda saj edhe Luginën e Preshevës. Do të ishte shumë e dhimbshme nëse ligjvënësit kosovarë do të jenë të detyruar ta ndryshojnë Kushtetutën, dhe brenda atij ndryshimi të mos jetë e përfshirë Lugina e Preshevës.

(Autori është ish i burgosur politik, ish drejtues lokal i UÇK-së, nënkryetar dhe zëdhënës i ish KPPMB-së).