SHPËRNDAJE

Kosovarët do të pyeten nëse janë në favor të bashkimit me Luginën e Preshevës, ka paralajmëruar presidenti Hashim Thaçi, ani pse vendi s’ka të drejtë të organizojë referendume.

Në konferencën e radhës, ai foli për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, derisa paralajmëroi dekretimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe e ka quajtur krejt normale në demokraci nëse ndonjëri vjen nga politika.

Vetëm katër muaj më herët, ideja e korrigjimit të kufijve për presidentin Thaçi nënkuptonte rreziqe të shumta.

Këto rreziqe as që i ka përmendur së fundmi, ndërsa ndryshimin e qëndrimit, presidenti e ka arsyetuar me kërkesën që po e quan të institucionalizuar, që iu bë nga politikanë të Luginës së Preshevës.

Në konferencën e radhës, ai është shprehur pro ndryshimit edhe të Kushtetutës, duke përmendur edhe referendumin për kosovarët, nëse janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, sipas Thaçit, do të bëhet në përputhje me opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

E, derisa Kushtetuesja, në mungesë të kuorumit, është jofunksionale, Thaçi ka paralajmëruar dekretimin e kandidatëve të votuar në Kuvend.

I pyetur për dekretimin eventual të Safet Hoxhës e Radomir Llabanit, njëri i lidhur me PDK-në e tjetri i dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale, ai e ka konsideruar si normale lëvizjen nga politika drejt Gjykatës Kushtetuese.

Gati dy muaj, Kushtetuesja është pa kuorum pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe dy anëtarëve nga radhët e komuniteteve.

Megjithëse presidenti Thaçi tha të mos ketë pranuar emrat e të gjithë kandidatëve, të votuar në Kuvend janë Radomir Llaban e Bajram Latifi nga komunitetet, ndërsa përveç Safet Hoxhës, në pritje për dekretim janë edhe Remzije Istrefi-Peci e Nexhmi Rexhepi.