Ryanair, 6 destinacione të reja në 2024! Gjithsej 22 destinacione me çmime të ulta

0
41

Sukses i pamatshëm mes Ryanair dhe aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.

Kompania ajrore kryesore loëcost në Europë po vazhdon investimet në Shqipëri, me 6 destinacione të reja për verën e 2024, duke e çuar në 22 numrin e udhëtimeve me çmime të çmendura të biletave, duke nisur nga 19.99 euro. Në një konferencë për shtyp drejtori operacional i aeroportit të Tiranës, Piervittorio Farabbi , tregoi transformimin që ka përfshirë aeroportin si dhe planin e zhvillimit më tej.

“E mbyllëm vitin më 7.25 milion pasagjerë, që ishte më shumë se 120% se vitin e kaluar. Këtë vit rritja do të vijojë, dhe deri në fund të 2024-ës presim rreth 9 milionë pasagjerë. Ne po zgjerohemi vazhdimisht dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, jemi duke rritur kapacitetet aeroportit”, u shpreh drejtori operacional i aeroportit të Tiranës, Piervittorio Farabbi.

Zgjerimi i hapësirave të aeroportit është i dukshëm edhe në bisedën e zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm të grupit Ryanair, Michael O’Leary në terminalin e ri.  Për Top Channel ai zbulon se në përvojën sipërmarrëse 30-vjeçare e kishte nuhatur suksesin e aviacionit shqiptar; ndaj planifikon që numri i pasagjerëve të arrijë 5 milionë deri në 2028 dhe shuma e investimeve të kap vlerën e 1.5 bilion dollarëve.

Si ka shkuar bashkëpunimi mes Ryanair dhe aeroportit ndërkombëtar të Tiranës? A shihni potencial në të ardhmen?

“Po, padiskutim. Potencial gjigand. Nuk jemi rritur në asnjë vend tjetër më shpejt se sa po ndodh me Shqipërinë në këtë moment. Nuk njoh ndonjë kompani ajrore që të ketë hapur 17 destinacione në nëntor, siç bëmë ne në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës; por Ryanair e pa potencialin e Shqipërisë ndaj investoi në dimër për të marr frytet në verën e 2024 me volumin e madh të rezervimeve që tani nga italianët, gjermanët, britanikët. Ndaj ndjemë nevojën që pas tre muajsh të shtojmë 6 destinacione të reja, Bari, Birmingham, Bristol, Budapest, Marsejë dhe Vienë. Pra jo vetëm shqiptarët do kenë mundësinë të udhëtojnë me bileta të lira nëpër Europë, por edhe dëshira e të huajve për të njohur Shqipërinë është e madhe. Në tregun europian turistik, Shqipëria po rritet fuqishëm. Të jem i sinqertë të gjithë po fuqizohemi këtu, ju shikoni se si ka ndryshuar aeroporti i Tiranës. Ne duam që këtë vit të shtojmë numrin e avionëve. Madje kemi plane ambicioze me Kastrati group për të hapur një bazë të Ryanair në Tiranë, që do ofronte mundësi të shumta punësimi për shqiptarët”, u shpreh Michael O’Leary, drejtor i përgjithshëm Ryanair.

Tabelë Ryanair 2024

6 destinacione të reja nga aeroporti “Nënë   Tereza”

-Bari

-Birmingham

-Bristol

-Budapest

-Marsejë

-Vjenë


Top Channel