SHPËRNDAJE

Lugina e Preshevës kohëve të fundit është bërë temë kyçe në relacionet Prishtinë -Beograd, kurse këtyre ditëve ajo po merr edhe përmasa të karakterit ndërkombëtar.

Nga deklaratat mediale deri te takimet, si të hapura ashtu edhe të mbyllura, komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë objekt i rikthimit të vëmendjes së humbur që nga viti 2001.

Kur bëhet fjalë për deklaratat që kanë të bëjnë me idetë e shpalosura nga presidenti Thaçi për korrigjim kufijsh, në Kosovë ato paraqiten në mënyra të ndryshme, varësisht nga kampet politike dhe janë të bazuara qoftë në përkrahje, sikurse edhe në kundërshtime.

Dhe këto mospërputhshmëri ndoshta edhe janë të kuptueshme kur kihen parasysh faktorë të ndryshëm që ndërlidhen qoftë me interesa partiake, mosgatishmëri të guximit politik, por edhe të vetë fazës së mjegulluar të dialogut, i cili pritet të hyjë në etapën finale.

Nga ana tjetër, për ne në Luginë është e pakuptueshme që të mos kemi qëndrime të qarta për këto situata dhe momente të cilat i kemi pritur prej më tepër se 100 vjetësh.

Është e habitshme se si disa nga liderët politikë japin deklarata të ngutshme dhe diametralisht të kundërta nga disa liderë të tjerë. Njësoj ndodh edhe me takimet, shumica e të cilave realizohen me vetë iniciativën e ndonjërit prijës politik dhe ngutia për ta pasqyruar veten si “ udhëheqës” të një procesi që ende nuk është shfaqur si duhet në horizont.

Raste të tilla i ka vërejtur edhe popullata përmes televizionit, ku ndonjëri nga përfaqësuesit politikë “okupon” foltoren në konferenca shtypi, duke e shndërruar rastin në një episod komik.

Para deklaratave Lugina ka nevojë për një konsensus kombëtar se cilat janë kërkesat në fazën të cilën po e pretendon presidenti Thaçi. Ky konsensus duhet të jetë tejet i qartë, i shpalosur në detaje dhe duke u mbyllur mundësitë e keqinterpretimeve.

Dhe ky konsensus nuk mund të arrihet vetëm nga këshilltarët shqiptarë të të tria kuvendeve komunale dhe politikanëve, por duhet marrë parasysh edhe qëndrimet e intelektualëve që nuk janë pjesë e politikës, historianëve, gjeografëve, njerëzve nga OJQ-të, medieve, njerëzve nga jeta kulturore e ajo e biznesit dhe mbi të gjitha njerëzve të cilët e udhëhoqën luftën e armatosur në vitet 2000/2001, si dhe atyre që kanë qenë pjesë e UÇK-së.

Është dëshpëruese se në këtë vorbull disa nga liderët i kanë harruar fare komandantët e UÇPMB-së, të cilët janë edhe kontribuuesit kryesorë për gjendjen tonë momentale, e cila dallon shumë nga ajo e shekullit të kaluar.

Andaj zëri i prijësve tanë ushtarakë është i domosdoshëm të bëhet pjesë e konsensusit, i cili duhet të zërë vendin që me gjasë duhet të jetë platformë në rast korrigjimi-shkëmbimi kufijsh ose territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Konsensusi me rezultat platformën sa më shpejt duhet dorëzuar institucioneve kosovare dhe vetë presidentit Thaçi, i cili është zotuar se do na përfaqësojë në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Nëse nuk e kryejmë këtë pjesë të detyrave tona, atëherë mbesim vetëm si spektatorë dhe nuk e dimë se si do të na trajtojë historia dhe gjeneratat që vijnë pas nesh.

Shkruan: Arbër Pajaziti

(Autori është kryetar i Alternativës për Ndryshim në Bujanoc)