SHPËRNDAJE

Sot, më 15 gusht, bëhen gjashtë vjet nga vdekja e veprimtarit dhe politikanit shqiptar nga Maqedonia, Arbër Xhaferi.
Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë ku edhe e ka kryer shkollimin fillor. Arsimin e lartë e ka përfunduar në fushën e filozofisë në Beograd.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 ka punuar  në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 nga regjimi i Millosheviqit ai është përjashtuar nga Televizioni, pas çka ka filluar punë në të përjavshmen “Koha”, pastaj në “Forum”, e cila drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media tjera shqiptare, si dhe në gazeta prestigjioze në botë.

Nga viti 1993, Arbër Xhaferi i futet politikës, ndërsa në vitin 1994 zgjidhet edhe lider i Partisë Demokratike Shqiptare, parti kjo që pas zgjedhjeve të vitit 1998 u bë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë. Si lider qëndroi deri në vitin 2007, kur u pasua nga kryetari aktual i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Xhaferi ka qenë edhe njëri nga dy liderët shqiptarë, bashkë me Imer Imerin e Partisë së Prosperitetit Demokratik, që nënshkruoi Marrëveshjen e Ohrit.

Arben Xhaferi vdiq pasditen e 15 gushtit të vitit 2012, si pasojë e hemorragjisë cerebrale të pësuar një javë më parë.