Hungaria vonon Suedinë në NATO, Kover: S’kemi ndonjë urgjencë për t’u mbledhur

0
29

Pas ratifikimit më 24 janar nga Parlamenti i Turqisë të kërkesës për anëtarësim në NATO të Suedisë, topi ka mbetur tek qeveria e Hungarisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet ta nënshkruajë legjislacionin për Suedinë brenda ditëve, ndërsa Hungaria mbetet e vetmja anëtare e NATO-s, që do të duhet të miratojë kërkesën e Suedisë, me qëllim që procesi të finalizohet. Pritet që gjatë kësaj të enjteje opozita hungareze të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme parlamenti për të ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, por përpjekja e tyre mund të dështojë, tha të enjten, kryetari i parlamentit, Laszlo Kover.

Madje në një postim të tijin në rrjet kryeparlamentari hungarez ka shtuar se ai “nuk ndjen ndonjë urgjencë të veçantë” dhe “nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme” në lidhje me pranimin e Suedisë në NATO.

Në të kaluarën mes dy vendeve ka pasur akuza për sjellje armiqësore, por duket se gjithçka do të kalohet shpejt mes tyre. Kryeministri hungarez, Viktor Orban e ka ftuar homologun e tij suedez në Budapest, për të biseduar për anëtarësimin e Suedisë në NATO, në një kohë që thirrja e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg shkoi pikërisht për Hugarinë.

Ndërsa përshëndeti veprimin e Turqisë, Stoltenberg tha se Hungaria duhet t’i japë fund procedurave sa më shpejt që është e mundur. Suedia dhe Finlanda vendosën t’i bashkohen NATO-s, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.


Top Channel