SHPËRNDAJE

Ata të cilët janë kundër bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës, Kosovës Lindore me Kosovën janë edhe kundër bashkimit kombëtar pasi bashkimi kombëtar do të thotë bashkim i të gjitha trojeve shqiptare, ku troje shqiptare janë edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Me bashkimin e tyre me Kosovën nuk bëhet ndarja e Kosovës, por bëhet bashkimi i Kosovës, pasi Kosova pa Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin është e ndarë, prandaj ato duhet t’i bashkohen Kosovës , trungut prej së cilës shovinizmi serbo-sllav i shkëputi, gjë të cilën ashtu sikurse edhe shumë ngjarje e histori të tjera, po themi se nuk i dinë. Por edhe edhe bëjnë sikur nuk i dinë, disa nga ata politikanë, pushtetarë, shtetarë, opinionistë, analistë e media nga Shqipëria të cilët flasin dhe shprehen kundër këtij bashkimi, por që kurrë shumica e po këtyre për të mos thënë se të gjithë ata as nuk duan bashkim kombëtar.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë pa qenë Lugina e Preshevës e bashkuar me Kosovën do ta lërë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin përfundimisht jashtë bashkimit kombëtar pasi nuk do të jetë më mundësia për rishikim, korrigjim apo ndryshim kufijsh që të bashkohej pastaj Lugina me shtetin shqiptar të bashkuar.

Në Shqipëri filloi të flitet për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën vetëm kur doli në skenë UÇPMB-ja. Askujt mos t’i duket habi se përse politika, opinionistët dhe mediat në Shqipëri, shumica e tyre nuk e duan bashkimin e Preshevës me Kosovën. Arsyeja kryesore është kjo: se politika e Tiranës nuk e do bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por bashkimi i shqiptarëve do të jetë i pashmangshëm, duan apo nuk duan ata shqipfolës të cilët haptazi, por edhe me hipokrizi janë dhe punojnë kundër bashkimit . Politika e Tiranës me shumë finesë punon në mënyrë të tillë që ta provokojë, nxisë dhe ta bëjë si veten e saj edhe politikën e Prishtinës, pra që ta infektojë edhe atë me indiferencën dhe me neglizhencën ndaj bashkimit kombëtar.

Koha, patriotët dhe populli shqiptar si dhe aleatët e shqiptarëve, SHBA-të, nuk kanë për t’i pyetur politikën dhe politikanët shqiptarë, por vullnetin dhe të drejtën e shqiptarëve për shtetin e tyre të bashkuar.

Politika e Tiranës në përgjithësi me djallëzinë e saj dhe me hipokrizi nuk është e vështirë për ta lexuar e kuptuar se ajo ka punuar dhe punon me qëllim që të rritet distanca kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nxjerrë vonesa, pengesa dhe bllokime e “indiferenca”, si p.sh. në marrëdhëniet ekonomike, në dogana ku fakt real është së fundi edhe vendosja e taksës së Rrugës së Kombit si një kufi e barrierë mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe jo më shumica nga politika e Tiranës si pozitë dhe opozitë të jetë e interesuar dhe se dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Jo më bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën.

Bashkimi kombëtar do të bëhet kundër vullnetit të këtij soji politik, pa i pyetur këta të tillët, do të bëhet për inat të tyre sepse atë do ta bëjnë shqiptarët dhe aleatët e shqiptarëve. Politika dhe politikanët kundër bashkimit kombëtar, duke e ditur këtë fakt, bëjnë tjetër përpjekje, bëjnë atë që: në këtë bashkim kombëtar Kosova të jetë sa më e vogël me popullsi dhe me territore, pasi politika e Tiranës si gjithmonë ka akoma edhe sot vetëm interesin e vet për pushtet dhe jo atë kombëtar. Bashkimi kombëtar është sfidë dhe ndëshkim për politikën dritëshkurtër, për politikën e interesit personal dhe të pa interesuar për atë publik dhe kombëtar.

Shqipëria dhe shteti politik shqiptar i Shqipërisë as si Mbretëri, as si Komunizëm dhe as si Demokraci asnjëherë, kurrë deri më sot nuk ka kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Shqipëria kurrë nuk ka luftuar me Serbinë dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë shumë shumë pak të informuar dhe të painteresuar për krimet, gjenocidin dhe barbarinë mbi 100 vjeçare serbe në Kosovë prej të cilave kanë pësuar kosovarët.

Politika e Tiranës ka parë gjithmonë vetëm interesin e ngushtë personal të saj dhe jo vetëm politika, por as edhe shoqëria shqiptare në Shqipëri nuk ka pasur dijeni se ku ndodhen dhe se a ka shqiptarë dhe a janë troje shqiptare Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Kjo është e vërtetë dhe e vërteta duhet thënë edhe tani pasi është mëse i nevojshëm edhe sot ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve të Shqipërisë të cilët i kanë borxh historik Kosovës, Preshevës, shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Çamërisë pasi janë rezistenca, qëndresa dhe sakrificat mbinjerëzore të tyre prej të cilave erdhi Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912. Shqiptarët e Shqipërisë akoma janë indiferent dhe mosmirënjohës për këtë fakt pasi ata nuk kanë pësuar vetë nga krimet dhe gjenocidi sllavo-grek dhe as nuk është se kanë bërë ndonjë luftë apo sakrificë të madhe as luftarake, as politike dhe as diplomatike për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë Shqipërisë dhe prandaj nuk përbën çudi fakti i një farë edhe serbo e grekofilizmi politik, kulturor, mediatik, fetar e intelektual të hapur e të fshehur që jo pak ka në Shqipëri.

Vetëm kur doli në skenë UÇPMB, Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga Shqipëria filluan të dëgjohen shprehjet e çudisë: “Pse, paska shqiptarë edhe atje?!”

Shteti shqiptar asnjëherë nuk ndërtoi as platformë, as strategji dhe nuk pati përkushtimin e duhur dhe serioz politik, diplomatik, ekonomik e ushtarak për çështjen shqiptare. Madje nga shteti shqiptar i Shqipërisë edhe te shqiptarët e trojeve etnike shqiptare dhe në diasporë është eksportuar dhe u është dërguar edhe atje politika përçarëse dhe ngatërrestare e Tiranës duke dëmtuar edhe unitetin kombëtar të tyre në preferenca e ndasira të dëmshme politike e ideologjike zogiste, enveriste, berishiste, nanoiste, etj.

Për Preshevën aq shumë u interesua edhe politika aktuale e Tiranës, saqë qeverisja Rilindja Socialiste propozoi nja 50 mijë euro “ndihmë” për maternitetin e Preshevës. Para disa ditësh Presidenti i Kosovës, z. Thaçi citoi mundësinë e bashkimit të Luginës me Kosovën dhe menjëherë pati reagime kundër idesë së bashkimit të Luginës me Kosovën edhe nga politikanë të Tiranës, por pikërisht nga ata të cilët kurrë nuk kanë përmendur dhe as nuk kanë kontribuar aspak për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, madje nga PD deputetët e saj braktisën edhe Parlamentin kur ishte në shqyrtim çështja e miratimit të vënies në dispozicion të NATO-s të aeroporteve të Shqipërisë për bombardimin e ish-Jugosllavisë për çlirimin e Kosovës. Po ish-presidenti Berisha që është shembullori i cili kundërshton edhe tani bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën, ai shkeli embargon e naftës mbi Serbinë.

Ku ishin dhe pse nuk u dëgjuan kurrë për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin as Berisha, as Nano, as Rama, as Nishani e as Meta këta burrë-shtetas “patriotë” të mëdhenj si edhe të tjerë “filozofë”, opinionistë e analistë etj., dhe madje as edhe nga ata “meritorë” të tjerë të cilët u dekoruan me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë për meritën e “bërjes së asgjëje për Kosovën” , por vetëm për faktin se ishin dhe janë politikanë dhe miq, shokë e bashkëpunëtorë politik e biznesesh të njëri-tjetrit. Për Luginën po flasin tani pikërisht ata që nuk dinë asgjë dhe nuk kanë asnjë pikë njohurie, ndjesie e respekti, përgjegjshmërie e ndjesie humane e vëllazërie dhe këta janë jo pak politikanë shqiptarë të cilët kundërshtuan me lloj-lloj alibish e fantazish injorante dhe papërgjegjshmërie duke u shprehur kundër bashkimit të Luginës me Kosovën.

Politika dhe politikanët e Tiranës kanë bërë ndonjë vizitë në Preshevë vetëm sa për dukje ku kanë marrë respektin dhe pritjen vëllazërore të preshevarëve, por në fakt ata nuk kanë treguar asnjëri prej tyre interesim e përkushtim për përmirësimin e statusit të lirive dhe të të drejtave njerëzore dhe humane e kombëtare të tyre. Por nuk po kuptohet se ku i kanë fijet dhe “hallin” edhe opozitarët, politika, analistët dhe disa media edhe të Kosovës të cilat deklarohen kundër bashkimit të Luginës me Kosovën?! Dhe nuk po e kuptoj se përse politika shqiptare si e Prishtinës, dhe e Tiranës e lanë vetëm Presidentin Thaçi, por edhe nuk e di se përse e kryqëzojnë atë pse ai tha realitetin dhe të vërtetën e duhur, atë të bashkimit të Luginës me Kosovën?! Nuk e di se çfarë janë dhe se çfarë e meritojnë të quhen ata politikanë, historianë, pushtetarë, intelektualë, opinionistë dhe analistë shqiptarë të cilët janë kundër bashkimit të shqiptarëve. Politikanët e Tiranës janë mjaftuar vetëm me ndonjë pritje disa-minutëshe me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nëpër zyrat e Parlamentit, të qeverisë e të ndonjë selie politike partiake, dhe me vetëm kaq ka përfunduar edhe patriotizmi sipërfaqësor i tyre.

Popullsia shqiptare e Luginës është komuniteti më i persekutuar dhe më i diskriminuar në Evropë të cilit i rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca nën Serbi. Pse politika e Tiranës dhe e Shqipërisë deri më sot kurrë nuk u interesuan për liritë dhe për statusin e shqiptarëve të Luginës, por politikanët e pushtetarët shqiptarë si në Tiranë, edhe në Prishtinë “krenohen” ndërkombëtarisht për liritë dhe të drejtat që kanë serbët dhe komunitetet minoritare të tjera në Kosovë si askund tjetër në botë? Pa ndihmën e SHBA-ve kryesisht, Tirana dhe Prishtina politike vetë, as sot nuk janë në gjendje as që ta marrin me luftë Luginën, por nuk kanë as vullnet dhe as takat as që t’i mbrojnë shqiptarët e Luginës, ashtu sikurse bën Beogradi për serbët e Kosovës.

Kjo duket haptazi, pasi haptazi dhe me shumë pak përjashtime, politika dhe politikanët e Tiranës e Prishtinës shprehen madje edhe kundër bashkimit të Luginës me Kosovën, bashkim i cili është zgjidhja më e mirë dhe e duhura, por edhe pasi bashkimi është e drejta kombëtare e shqiptarëve të Luginës për tu bashkuar me Kosovën, së cilës Lugina i përket si pjesë e saj.

Dhe në këtë realitet çfarë duan, intrigojnë, shpifin dhe pengojnë jo vetëm politikanët e pushtetarët nga Tirana e Prishtina, por edhe langojtë opinionistë e mediatikë të cilët shprehen dhe deklarohen kundër bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Pra, çfarë kërkojnë këta zhurmues të pahajër e rrëmujaxhinj mediatik të cilët nuk kanë bërë asgjë për çështjen kombëtare përveçse dëm, zhurmë, llafollogji e llapazani shterpë. Thaçi ka të drejtë kur shprehet për bashkimin e Luginës me Kosovën dhe duhet mbështetur ashtu sikurse një gjë të tillë ta kërkonte edhe cilido shqiptar dhe jo vetëm politikan. Kërkesa për bashkimin e Preshevës me Kosovën ka avantazhin e vet të madh pasi së pari, ajo e ndërkombëtarizon problemin shqiptar dhe ekzistencën e tij në Luginë; së dyti duke kërkuar maksimumin, bashkimin e Preshevës me Kosovën i cili është shumë i vështirë për t’u arrirë pa pëlqimin e shteteve të fuqishme euroatlantike kryesisht nga SHBA, aleati i madh dhe strategjik i shqiptarëve, por ama kjo kërkesë është presion si ndaj ndërkombëtarëve, ashtu edhe për serbët sepse u thuhet drejtpërsëdrejti dhe u kërkohet me të drejtë se: Ju po na flisni shumë dhe po kërkoni dialog dhe për bashkësi komunash serbe në Kosovë, por që të bëhen këto, atëherë duhet që po këto të drejta t’i kenë edhe shqiptarët e Luginës.

Besoj se nuk është shumë e nevojshme për ta argumentuar më tej se Lugina dhe popullsia shqiptare e saj ka të drejtën kombëtare të pamohueshme për të fituar liritë dhe të gjitha të drejtat kombëtare atje si dhe Bashkimin e saj me Kosovën. Nuk e di se ku e gjejnë justifikimin dhe guximin ata shqiptarë të cilët ngurrojnë dhe madje edhe shprehen kundër këtij bashkimi. Këta mjeranë e frikacakë që nuk janë në gjendje për të bërë asgjë, janë si puna e atyre badiavaxhijve patriotë të cilët flasin klubeve e kafeneve të Tiranës e Prishtinës dhe shkruajnë në ndonjë gazetë e portal si dhe rrahin gjoksin në azil për patriotizëm e atdhe, por që nuk kontribuojnë gjë tjetër veçse ngatërresa, fantazira, trille e pengesa kombëtare.

Kush është kundër dhe kush hesht e nuk është për bashkimin e Preshevës me Kosovën, ata janë të paturp sepse kjo provon se ata nuk janë fare të interesuar as për shqiptarët e trojet e tjera shqiptare jashtë shtetit të Shqipërisë e Kosovës si në Maqedoni, Mal të Zi e në Greqi, por u intereson vetëm interesi i vet politik dhe interesi për pushtet të korruptuar. Kjo shpurë shqipfolësish kundra , bashkimit të Luginës me Kosovën është konform dhe në përputhje me “shqetësimin” sllavo-grek, të cilët po i tmerron fakti se me Pavarësinë e Kosovës ka filluar zgjidhja e problemit të pazgjidhur akoma në Ballkan, i cili është problemi shqiptar i krijuar 100 vite më parë padrejtësisht nga Evropa dhe i zbatuar me ndihmën po të Evropës dhe mbajtur i copëtuar nën pushtim me mizori, krim, terror e gjenocid nga shtetet fqinje shoviniste antishqiptare.

Nga: Skënder Sadri KAPITI