SHPËRNDAJE

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklarimeve të Glauk Konjufca, lidhur me ngecjet në mes liderëve të dy subjekteve politike për krijimin e Qeverisë.

Abdixhiku, duke komentuar deklaratat e Konjufcës në një studio televizive, ka thënë se “deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Marrëveshjet e mosmarrveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive.

Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi.

Propagandë për propagandë jemi ngopur mjaftë. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë”, ka shkruar Abdixhiku.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë sonte se marrëveshja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ndodhi, sepse kjo e fundit e kushtëzoi marrëveshjen.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen për qeverinë, kuvendin dhe pozitën e Presidentit”, tha ai.