SHPËRNDAJE

Deputeti nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, njëherësh edhe ish-ministër i Shëndetësisë së Kosovës, në seancën e sotme ka folur për cilësinë e bukës në Kosovë, e që, sipas tij, është tejet e dobët
Sipas Rrahmanit, në bazë të informacioneve që ai ka, del se aditivi i përdorur në bukën që shitet në Kosovë është 75 herë më i lartë sesa sasia e lejuar.

“Sot u fol edhe për cilësinë e bukës, për këtë shtrohet një çështje tjetër se si është e mundur që një kilogram miell të kushtojë 60 cent dhe një bukë të blihet 15 centë, ka informacione që sasia e aditivit e përdorur në këto bukë mund të jetë mbi 75 herë më e madhe se doza e lejuar”, theksoi Rrahmani.

Ai, gjithashtu, tha se punëtorët e furrave të Kosovës, nuk i plotësojnë as masat elementare sanitare, si përdorimi i dorëzave që do të garantonte pastërtinë e produktit që ofrohet.

Këtë e kundërshtoi deputeti Nazir Çocaj nga PDK-ja i cili tha se më të pastra janë këto furra të Kosovës, sesa institucionet e vendit. Duke e kundërshtuar Imet Rrahmanin për atë që ai tha, Çocaj tha se duhet të tregojë se ku i ka marrë ai këto informata.
I menjëhershëm ishte reagimi i Imet Rrahmanit i cili tha se nëse Çocaj ka informata që e dëshmojnë të kundërtën e asaj që ai tha, atëherë le të tregojë.