SHPËRNDAJE

Një shpërthim i fuqishëm ka goditur sot kryeqytetin e Libanit, Bejrutin, ku si pasojë kanë humbur jetën 73 persona dhe mijëra tjerë janë lënduar, shkruan Daily Mail.

Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi ka njoftuar se më shumë se 3.700 persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit në portin industrial të qytetit, ku kimikale të rrezikshme mbahen nëpër depo.

Pamjet dramatike të filmuara rreth orës 6 pasdite, shfaqin tymin mbi zonën e goditur si dhe një re në formë kërpudhe që ngritet në ajër dhe mbulon tërë qytetin.

Dëshmitarët okularë kanë treguar për përvojën e tyre nga ky shpërthim i fuqishëm që është dëgjuar madje 125 milje larg – në Greqi, shpërthim ky që ngjante me një sulm “me bombë bërthamore”.

Për shkak të zjarrit të madh ekipet e shumta të zjarrfikësve kishin dalë në terren, duke tentuar ta lokalizojnë zjarrin që kishte përfshirë shumë ndërtesa e shtëpi.

“Duket se ekziston një depo që ka materie që janë konfiskuar vite më parë dhe në mesin e tyre edhe një sasi tejet e madhe e eksplozivit”, ka deklaruar shefi i sigurisë Abbas Ibrahim.

Në anën tjetër ministri i Brendshëm pranoi se materiet kimike që ishin mbajtur në depo që nga viti 2004 mund të jenë shkak i shpërthimit, derisa ekspertët pajtohen se ato mund të kenë shkaktuar renë në formë kërpudhe.

Mediat lokale raportojnë se 2.700 tonelata kimikale kanë shpërthyer, duke bërë që një erë e “çuditshme” të përhapet në port dhe të alarmojnë zyrtarët shëndetësor për helmim masiv.

Kryeministri libanez Hassan Diab është zotuar se personat përgjegjës për këtë katastrofë do ta paguajnë çmimin e merituar – duke e shpallur të mërkurën ditë zie.

Në anën tjetër, Izraeli ka mohuar çfarëdo përfshije në këtë incident, madje i është bashkuar vendeve si Britania e Madhe, Franca, SHBA-të dhe shtetet e Gjirit duke i ofruar ndihmë Libanit në kohën kur vendi po përballet me krizën më të madhe ekonomike dhe financiare.

Zyra e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe, ka bërë të ditur se punonjësit e ambasadës së tyre në Liban nuk kanë pësuar ndonjë lëndim nga ky shpërthim.

E me milje larg, ballkonet e ndërtesave janë shembur nga shpërthimi i fuqishëm, duke bërë që edhe xhamat të thyhen dhe të mbulojnë rrugët e qytetit.

Aeroporti kryesor i Bejrutit që është gjashtë milje larg portit detar është dëmtuar nga shpërthimi, ku fotografi të publikuara më poshtë tregojnë se si pjesë të caktuara të objektit janë shembur.

Guvernatori i portit u ka thënë gazetarëve se nuk i di shkaqet e shpërthimit dhe se nuk ka parë dëme të tilla më parë në jetën e tij, duke i krahasuar këto skena me ato të Hiroshima dhe Nagasakit, ku këto qytete japoneze u sulmuan me bomba bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Charbel Haj, që punon në port tha se shpërthimi filloi me krismat e fishekzjarrëve dhe befasisht ndodhi edhe shpërthimi i fuqishëm.

Imazhet e publikuar shfaqin ndërtesat e shkatërruara përreth portit, nga i cili praktikisht gjashtë milionë banorë fitojnë bukën e gojë nga importimi i ushqimit.

E nga shpërthimi e kanë pësuar edhe spitalet që janë mbingarkuar nga numri i madh i pacientëve që janë lënduar gjatë këtij shpërthimi.