SHPËRNDAJE

Sot janë bërë një vit nga vdekja e kryetarit legjendar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri u largua nga kjo botë më 9 qershor, pas një sulmi që pësoi në zemër.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi e ka kujtuar me mall dhe krenari mikun e tij të madh Fadil Vokrri në një vjetorin e vdekjes së tij.

Ademi ka thënë se kujtojnë Vokrrin për mirësinë dhe ngrohtësinë e tij, ndërsa ka shtuar se janë duke e vazhduar punën e tij.

Letra e plotë e Agim Ademit pa ndërhyrje:

Një vit më parë mbetëm pa futbollistin e pazëvendësueshëm, pa Legjendën Fadil Vokrri. Përveç si futbollist klasi në vitet e tij të arta, Fadili la gjurmë edhe si një menaxher i jashtëzakonshëm.

Ardhja e tij në krye të FFK-së ndryshoi rrënjësisht rrjedhat në futbollin e Kosovës, duke kulmuar me anëtarësim në UEFA e FIFA. Vokrri ishte punëdhënës dhe bashkëpunëtor i mirë, por edhe mik i madh i tavolinës. Ndejat e tij, humori, buzëqeshja gazmore dhe afërsia që kishte me këdo po na mungojnë secilit prej nesh.

Sot, në këtë përvjetor, e kujtojmë atë për mirësinë e ngrohtësinë që dinte ta jepte në çdo takim apo ndejë, por edhe për vendosmërinë në kryerjen e punëve të cilat i kishte si objektiv.

Federata e Futbollit e Kosovës këtë periudhë njëvjeçare e kaloi me dhimbje, por edhe me krenari. FFK arriti të këndellet nga kjo humbje e madhe e ikonës, duke punuar në të gjitha segmentet në përmbushjen e strategjisë të cilën e kishte krijuar legjenda Fadil Vokrri, e të cilën, ne, si bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë po e avancojmë dita – ditës në stad edhe më të lartë, me një futboll të drejtë, i cili do të jetë pjesë e krenarisë së popullit tonë, gjë të cilën e dëshironte edhe vetë Legjenda.

Në këtë përvjetor të parë, FFK u kujdes që ta rregullojë pllakën e granitit dhe pjesët përcjellëse të vendit ku pushon përjetësisht Legjenda. Po ashtu, FFK do të kujdeset që në përvjetorët e tjerë nën patronatin e saj të organizohet turneu me emrin Fadil Vokrri, në shenjë përkujtimi për të.

Në rrafshin kombëtar tashmë çdo futbollist i cili zgjidhet më i miri i vitit do të nderohet me çmimin prestigjioz Fadil Vokrri. Ndërkaq, përkujtimi në rrafshin ndërkombëtar për Legjendën është dhe do të jetë në çdo ndeshje të kombëtares tonë, e cila luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Emri i këtij stadiumi po i frymëzon Dardanët për rezultate sa më të mira dhe të gjitha ato i dedikohen Legjendës tonë.

Në emër të Komitetit Ekzekutiv, të sekretarit të përgjithshëm, administratës së FFK-së dhe në emër të stafit të ekipeve kombëtare që t’i i formove, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, miku im.

Me respekt e krenari që isha bashkëpunëtori juaj, Agim Ademi, president i FFK-së.