SHPËRNDAJE

Intervistë ekskluzive me shkrimtarin e mirënjohur, Agim Doçi

«Ndarja në kombe është mision i atyre që i paguajnë Beogradi dhe Athina, sidomos «intelektualët» që mendojnë shkinisht dhe flasin (gjoja) shqip…»

Mjafton të përmendet vetëm emri dhe thuajse të gjithë ata që e duan fjalën e bukur shqipe e dinë për kë është fjala. Është ky Agim Doçi, i cili ka bërë kryevepra, e nëpërmjet atyre shkronjave që i ka hedhur në letër e të dala nga shpirti shumë këngëtarë tashmë të njohur të të gjitha trevave shqiptare kanë bërë emër. Shkronjat e tij janë të qëndisura me një realitet të përditshmërisë sonë dhe kush mund tjetër t’i shkruajë ashtu, pos të nderuarit Agim Doçi. Kam pasur rastin të takohemi disa herë me z. Doçi, por nuk kam pasur mundësi ta kemi një intervistë me të, jo pse nuk ka dashur, por pse ishte shumë i zënë. Telefoni i tij i cingëron nga miq të ndryshëm, brenda Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe nga e gjithë Diaspora. Është ky Agim Doçi që e ka shkruar marshin e UÇK-së, është ky Agim Doçi që i shkroi këngët më të mira të luftës së lavdishme të UÇK-së, për dëshmorët dhe për ribashkimin kombëtar. Ai asnjëherë nuk iu nda pendës. Ai shkroi, edhe pse dikujt nuk i pëlqen ndoshta, por në realitet është një dhimbje reale e krijuesit dhe çdo atdhetari kur sheh se ç’po ndodh në përditshmërinë tonë. Ai nuk flet shumë, por veprat e tij kanë bërë bujë të madhe në gjithë botën. Është teksti i tij që për herë të parë e dërgoi Shqipërinë në «Eurovision» me këngën e Anjeza Shahinit. Teksti i tij ka mesash, teksti i tij është i mbushur edhe me gjak dhe shpirt, prandaj e përjeton ai që e dëgjon emocionin. Nuk ndalet së shkruari, por në anën tjetër edhe nuk plaket. Sigurisht janë shkronjat e shpirtit që e mbajnë të fortë kundrejt padrejtësive të ndryshme të kësaj kohe të pakohë. Ne e patëm rastin dhe njëkohësisht nderin që ta zhvillojmë një intervistë me z. Doçi, nga e cila shpresojmë se do t’i mësoni shumë gjëra që ndoshta nuk i keni ditur më herët për këtë poet e shkrimtar të merituar.

Zoti Doçi, kam nderin dhe kënaqësinë që të Ju falënderoj që më nderuat për të bashkëbiseduar, duke e ditur kohën tuaj që e keni të kufizuar. Fillimisht, do të na interesonte ta dinim, ku e ke gjetur ilaçin e mosplakjes?

Njeriu i ka tre mosha! 1. E shkruara, 9 maj 1948. Pra jam 66-vjeçar. 2. Pamja e jashtme, dukem si 50-vjeçar (hahaha). 3. Mosha e shpirtit, jam rreth 19-vjeçar (hahaha)!

A është edhe krijimtaria ajo që të jep më shumë jetë?

Pa dyshim! Kam shkruar për gjeneratat e reja rreth 2015 këngë!

Zoti Doçi, të kujtohet kur e ke shkruar poezinë e parë?

Në moshën 9-vjeçare dhe ia kam kushtuar partisë, (hahaha)…

Nana më lindi

Por TI më rrite

O Nanë e dashtun, o parti

Nana me nxori në jetë e dritë

Po ti më bëre mua njeri!…

Si e fillon ditën?

Zgjohem prej vitit 1966 (kur nisa studimet universitare për inxhinier elektrik) saktësisht në orën 5:35! Dhe, e falënderoj ZOTIN që jam prapë gjallë.

Ndihesh i lodhur në mes shkronjave të një poezie?

Aspak! Poezia ma jep një energji të barabartë si nënave pas lindjes së një foshnje të shëndetshme. Kur nuk «ia qëlloj», kaloj direkt në Rilindje (hahaha).

Përditshmëria të frymëzon, apo ia lë shpirtit të vendosë për të hedhur atë që e thotë zemra në letër?

Kur Nëna ime (Shqiponja, ndjesë pastë!) i lexonte poezitë e mia ma ledhatonte kryet dhe më «kontrollonte» se mos kisha ndonjë «vrime» prej nga më dilnin vargjet. Por, jo! Kryet e kam pa «vrimë» – me sa duket asht shpirti im që frymëzohet lehtësisht dhe ndoshta brenda shpirtit kam «vrima» vullkanike….(hahata, çfarë modestie!).

Je lodhur nga përditshmëria shqiptare, e sidomos ajo në Shqipëri?

Aspak! Madje deklaroj se Shqipëria është vendi «çlodhjes» më atraktive në glob, sepse të papriturat e ditës të befasojnë me larminë e tyre deri në huti intelektuale (sidomos për ne mediokritet – hahaa!) Më vjen keq për «gjenitë» e kombit! Ata lodhen, dhe nga lodhja ia fusin «kodra mbas bregut», duke e «çlodhur» popullin… që pret shumë që «ata» të çlodhen!

Keni jetuar një kohë edhe në Zvicër. Kur do të shohim rregulla të Zvicrës edhe në Shqipëri, meqë e dimë se edhe ne si popull jemi shumë të lashtë e të qytetëruar?

Kur të kthehet prona te pronari!… Kur shpronësohesh fizikisht dhe psikikisht, aha nuk ka zbatim ligji! Kaosi (rrëmuja) sundojnë dhe rrallëkush e do vendin, tokën, Atdheun pra! Sa për komb i qytetëruar, jemi Ata që para rreth 840 viteve, edhe Kushtetutën helvetike e kanë shkruar tre juristë shkodranë! (Muzeu në Sant Gallen të dhëna të sakta). Por, zbehja e vlerave të popullit «lind» dhe «rilind» nga Kriza e Përfaqësimit! .

Ka pasur shpirt edhe politika në tekstet tua?

Vetëm politika kombëtare!

Si e sheh Shqipërinë gjatë kësaj kohe?

Si vend kandidat për në BE.

Të kujtohet koha e Enver Hoxhës?

Pa dyshim që nuk e harroj kurrë, se ishim «fanar ndriçues» për gjithë botën.

Na e përshkruaj një ditë kur ishte koha e Enver Hoxhës?

Po i përshkruaj katër ditë! E enjte – Formim Marksist, Leninist e Stalinist. E premte – Stërvitje Ushtarake. E shtunë – Aksion. E diel – Pastrim territori.

Si ndihesh kur e dëgjon tekstin tuaj të kënduar nga një këngëtare?

Mundohem të «vëzhgoj» nëse e kuptojnë të tjerët, sepse ka edhe këngëtarë që nuk u merren vesh fjalët! Ndihem i kënaqur.

I ke thënë vetes, po të kisha mundësi edhe një herë do ta kisha ndryshuar atë këngë, apo këtë këngë?

Jo, asnjëherë! Sepse muzikantet janë të shkëlqyer, ndërsa këngëtarët të mrekullueshëm. I kanë rezistuar kohës dhe kanë jetëgjatësi të dallueshme krahasimisht me këngët e autorëve të tjerë. Kjo sepse nuk i kushtova në jetën time këngë politike, apo rrenave propagandistike!

E dini numrin e teksteve të këngëve që i keni shkruar deri më tash?

Po, patjetër që e di:

1. Për dekadat e majit (192 ndërmarrje e fabrika nga dy tekste në vit, shumëzuar kjo për dhjetë vjet, rreth 3840 këngë për klasën punëtore);

2. Në 36 festivale (mesatarisht tre tekste), që bëjnë 108 këngë;

3. Kënge për Kosovën, 647 gjithsej…

4. Gjithsej pra rreth 4` 500 këngë (se futen dhe festivalet e Gjirokastrës dhe të rretheve).

E ke shkruar edhe «Marshin e UÇK-së». Si u bë që të shkruani, apo si e gjete momentin të shkruash?

Frymëzimin ma dhanë djemtë luftëtarë! Nxitjen – edukimi atdhetar i familjes sime, shpesh idetë edhe miku im i paharrueshëm Azem Hajdari, Shpend Hajdari. Mos harroni që Atë Gjergj Fishta ka qenë për mua baza, ku jam mbështetur për të krijuar. Pader Fishtën ma recitonte që në vogëli babai im mirditas (ndjesë pastë!).

Ka ditë që dëshiron të shkruash, por nuk ia qëllon dhe e lë?

Asnjëherë. Kur ulem të shkruaj, «e kam shpirtin dhe muzën «deri në fyt».

Për z. Doçi, puna më e mirë që ka bërë deri më sot?

Për të mos qenë askund, peng! Pa i bërë dëm kurrë askujt!….

Keni organizuar edhe gala-mbrëmje nëpër Evropë dhe Shqipëri. Cili ka qenë organizimi më i mirë?

83 koncertet nëpër evropë « Kosova djep lirie» me të gjitha krijimet e mia dhe të Edmond Zhulalit. Pa dyshim edhe interpretimet e 10 artistëve të mëdhenj, si Kastriot Tusha, Manjolla Nallbani, Miruash Kabashi, Liri Lushi, Arif Vladi, Leonora Jakupi, Nimon Mushkolaj, Ilir Shaqiri dhe Çun Lajçi-të gjithë interpretues madhështor.

Çfarë të ka mbetur merak për ta kryer e nuk e ke kryer, e kam fjalën në jetën letrare?

Ende nuk kam dërguar për botim korpusin tim në prozë, që është më i fuqishëm se poezia ime!

Si është jeta e krijuesve sot në Shqipëri?

Fukarallëk! Nuk funksionon Mbrojtja e së Drejtës së Autorit! Vjedhin «piratët» radiofonikë dhe televizivë, madje shiten me mijëra disqe e video dhe pasurohen «Cubat»…

Po politizohen edhe artisti e krijuesi?

Ndoshta dhe Po. Unë nuk jam «prishur» me kolegët që janë politizuar «nga halli» apo nga «malli»…

Jemi në ngërç të shundit e kiçit?

Lufta e Tretë Botërore do të «kërcasë» nga shundi, kiçi dhe tallavaja!… Boll ma!

Neveritesh kur përmendet populli kosovar dhe ai shqiptar?

Brengosem dhe trishtohem, sepse ndarja në kombe është mision i atyre që i paguajnë Beogradi dhe Athina, sidomos «intelektualët» që mendojnë shkinisht dhe flasin (gjoja) shqip…

Si e sheh të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni?

Ata, po nuk i përzunë nga udhëheqja politike «shqiptare» lëpirësit e Gruevskit dhe modelin sllavo-komunist të Ali Ahmetit – keq e më keq do të shkojnë.

Po në Luginën e Preshevës e në Mal të Zi?

Lugina e Preshevës është përdorur si « kushur kamerierësh të politikuajve gjoja atrdhetarë!».

Cila është shprehja jote më e mirë kur dikush të bën nervoz?

M’u hiç sysh!

Gjatë karrierës suaj, kush është ai apo ajo që të ka përkrahur më së shumti?

Si njeri të dy prindërit, si poet festivalesh Zhuliana Jorganxhi, si shok bashkëshortja ime!

Kur përfundon dita për Agim Doçin?

Rreth orës 2:00, pas mesnate.

Jeni optimist se do të bëhet mirë në të gjitha drejtimet?

Nuk kam kohe të bëhem pesimist! …. (haha)

Jemi duke humbur kohë për bashkim shpirtëror dhe kombëtar si popull?

Për të humbur kohë jemi kampion bote!

Keni qenë disa herë edhe nëpër «Eurovisione» dhe tekstet tuaja ishin ndër 10 më të mirat e Evropës. Do ta kemi një eveniment në Shqipëri?

Po! Atëherë kur nuk të do ekzistojë «gjeopolitika» e votimeve. Sllavët votojnë për veten, madje edhe boshnjakët për Serbinë i japin 12 pikë(!)…

Çka do të duhej të ndryshohet, që ta kemi një këngë që do të pëlqehet nga Evropa?

Duhet të ndryshohet Juria!

Teksti juaj dhe kompozimi i Edmond Zhulalit ishte ai që e theu akullin e «Eurovisionit». Bashkëpunoni edhe sot me z. Zhulali?

Sa të jemi gjallë! Nuk na do as publiku të ndarë. Boll janë ndarë e përçarë partitë…

Kur Anjeza Shahini në «Eurovisionin» që qe mbajtur para ca viteve në Turqi, e kur edhe ne ishim të pranishëm, atëherë edhe teksti, por edhe kënga qe vlerësuar ndër më të mirat nga kritikët. Cila ishte fjala më e mirë që e ke dëgjuar nga të tjerët për atë «Eurovision»?

Si ka mundësi je diplomuar për inxhinier elektrik, e bën poezi?! Qenke fantastik!

Zoti Doçi, Ju falënderoj edhe një herë për kohën. Si pyetje e fundit e kësaj interviste, do na interesonte ta dimë nga ju nëse është bërë biznes edhe arti?

Biznes?!…Jo. Është bërë… Ju falënderoj që edhe Ju e keni ndjekur artin deri në «Eurovision», ku kemi konkurruar. Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Tiranë (dialogplus.ch,. presheva.com)