SHPËRNDAJE
Intervistë ekskluzive me skenaristin e mirënjohur, pas filmit «Lot mërgimi», z. Agron Boriqi
Dashnim HEBIBI, SolothurnZoti Boriqi, fillimisht ju falënderoj për kohën e rezervuar për ta realizuar këtë intervistë. Biseda jonë do të ndahet në disa pjesë, ndërkaq do të flasim lirshëm, pa asnjë pengesë. Këto ditë ishit në Zvicër dhe e keni realizuar filmin me një temë mjaft prekëse, «Lot mërgimi». Pjesa e parë është kryer ditë më parë dhe u prit mirë, kurse premiera e këtij filmi u dha në mesin e mërgatës sonë. E keni menduar se ndonjëherë do ta realizoni një film në Diasporë?
– Që në fillim dua të falënderohem për kohën që e rezervuat për këtë intervistë dhe për të gjitha që bëtë për mua, si dhe për stafin realizues të filmit. Kishte shumë kohë më parë që e kisha idenë për një film apo dramë me karakter social për ta trajtuar mërgimin. Ne jemi popull rezident, por në tërë historinë tonë mërgimi na ka përcjellë si hije. Unë personalisht e kam përjetuar këtë, pasi vetë isha fëmijë i një mërgimtari, meqë njëra pjesë e familjes ishte në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër në Turqi, kështu që nga fëmijëria e hershme jam përballë me mallin për atdheun, apo për njeriun. Në bisedat e shumta që patëm me Enis Limanin, regjisorin e këtij projekti, erdhëm në përfundim se Zvicra do të ishte vendi më i përshtatshëm për ta realizuar filmin «Lot mërgimi», që fillimisht kishte tjetër emër, apo version i punës ishte «Kthimi…». Personazhet e këtij filmi janë në tërësi të imagjinuara dhe çdo ngjashmëri me ta është vetëm rastësi.
Sa jeni i kënaqur me pjesën e parë të këtij filmi dhe çka kishit ndryshuar, po të kishit mundësi, kur dihet tashmë se është punë e kryer?
– Filmi është projekt i madh dhe ndonjëherë edhe të duket megaloman, sepse vetë puna, që nga skenari e deri te produkti final i ka disa faza. Kjo distancë në kohë vetvetiu të shtyn të mendosh paksa më ndryshe. Meqë je vetë krijues, e di se shumë pak ka çaste kur mbërrin të jesh plotësisht i kënaqur me punën që e ke bërë, sepse gjithmonë ka edhe një hapësirë që të ka ikur, apo që nuk do ta kishe bërë në distancë kohore. Që nga shikimi i parë i produktit final posproduksional, unë jam dakorduar me punën e regjisorit. Po e them këtë, sepse gjatë xhirimit ka pasur edhe materiale tjera, por gjatë montazhit janë mënjanuar dhe natyrisht të vjen keq për disa pjesë që ndoshta është dashur të jenë që në pjesën e parë të filmit. Për ta ruajtur tërësinë e filmit, ato kanë mbetur të paprojektuara dhe natyrisht kam dilemë personale në rrafshin e skenarit. Marrë në përgjithësi, pa ndonjë modesti të tepruar, unë personalisht jam i kënaqur edhe me leximin e tekstit dhe realizimin final të pjesës së parë.
Ishte e vështirë të punohet me artistët që janë rritur në Diasporë?
 
– Filmi ka mundur të realizohet edhe këtu, mirëpo për ta ruajtur integritetin e fabulës kemi vendosur që të realizohet në tërësi në Zvicër. Në fillim, unë personalisht kam pasur shumë dilema, sidomos për pjesën e aktorëve që do të angazhohen dhe që vijnë vetë nga pjesa e mërgimtarëve. Që në momentin e parë unë këtë dilemë e hoqa, meqë aty e gjetëm një pjesë tonën, një degë të trungut, që ishte shumë e disponuar për punë dhe angazhim serioz në realizimin e filmit. Edhe pse ata i kishin punët e veta dhe angazhimet ditore, me një vetëmohim të paparë e ndanin kohën për të ndihmuar, si në pjesën teknike, ashtu edhe në pjesën artistike. Sepse, përpos aktorëve kryesorë, që janë profesionistë të vërtetë, pjesa tjetër është autoktone, nga vetë populli.
Si ju pritën mërgimtarët tanë, kur dihet se shumë pjesë të filmit janë bërë në mesin e familjeve shqiptare?
 
– Entuziazmin për ta realizuar këtë film na shtoi pritja nga vetë mërgimtarët, që nga lirimi i shtëpive të tëra, atë që e bëri familja Sylejmani me origjinë nga Gjilani, dhe klubi i Talatit, të cilat i kishim në dispozicion tërë ditën. Për çfarëdo pengese eventuale apo mungese të materialit na dilnin në ndihmë, sikur të ishte projekti i tyre. Për këtë pritje dhe ndihmë unë personalisht jam shprehur shumë herë edhe nëpër intervista të tjera, por dua ta përsëris se ne aty e gjetëm një pjesë tonën. Thjesht, aty nuk ishin vetëm mërgimtarët, por ata i përjetonin të gjitha mundimet tona.
Është përmendur e përmendet edhe sot e kësaj dite se shumë fëmijë mërgimtarë nuk e flasin gjuhën shqipe ashtu si duhet. E patë Ju këtë, kur dihet se e keni bërë një film?
– Këtë dilemë e kisha edhe vetë. Në mesin e fëmijëve dhe të të rinjve që duhej angazhuar në film kishte edhe të tillë që kishin lindur në Zvicër. Se sa dhe si do të përmbusheshin kërkesat regjisoriale, apo pjesa folëse e tekstit, kjo ishte dilema. Shumë shpejt jemi bindur se ata, edhe pse në Zvicër, jetojnë dhe mendojnë shqip. Ky fakt më ka gëzuar pa masë, sepse, përveç dëshirës sonë për një integrim të shpejtë në Evropë, ekziston frika e asimilimit, të cilën nuk do ta kishim dëshiruar, mirëpo kontakti me këtë pjesë tonën na bënë edhe më optimistë se ata janë dhe mbeten shqiptarë. Unë e shoh artin edhe si mision, andaj edhe tekstin e kisha të shkruar në gjuhën letrare, mirëpo kërkesa e të gjithëve ishte që të shndërrohet në gjuhën e popullit, e kjo ishte një punë shtesë.
Ju e keni shkruar edhe tematikën e filmit. Pse «Lot mërgimtari»?
– Loti është pjesa më e pastër që del nga njeriu. Sa herë që jemi të hidhëruar apo të gëzuar, këtë e manifeston loti. Ndarjet dhe takimet manifestohen me lot. Meqë të gjitha këto e manifestojnë jetën e një mërgimtari, në mënyrë metaforike e kemi marrë këtë titull. Edhe pse më herët e ceka se kishim edhe version pune. Ka momente kur njeriu mendon në vete: «Kur do të ndalen këto lot?».
A duhet edhe përjetuar një rast për të shkruar dhe, nëse po, a është më e këndshme që të aktrohet?
– Sado që përpiqesh t’i ikësh subjektit, ai të bën për vete dhe deshe apo jo mishërohesh me atë që shkruan, për ta bërë ngjarjen sa më reale. Edhe pse në moshën më të re kam aktruar në teatër, kjo dashuri për asnjë çast nuk më është hequr. Për të qenë i sinqertë, ka pasur raste kur jam bërë edhe xheloz pse nuk jam më tepër në skenë. Zakonisht qenia njerëzore është ashtu, të gjithë aktorët duan të bëhen regjisor, apo skenarist, dhe e kundërta. Unë në këtë film, me kërkesë të regjisorit, e realizova edhe një episod si aktor.
Sigurisht se keni parë lot mërgimtari?
– Lot gëzimi dhe hidhërimi. Edhe gjatë bisedave të zakonshme, ata rridhnin pa dashje dhe ndodhte shpesh që përpiqeshin t’i fshihnin ato emocione, por loti i tradhtonte, sepse dilnin edhe pa vullnetin e tyre. Më kujtohet dita e parë e xhirimit, jam i bindur se është ruajtur në arkivin e filmit, kur i gjithë stafi teknik, që nga kameramani deri te tonisti, kishin filluar të qanin. Për disa minuta është ndërprerë edhe xhirimi. Ky ka qenë momenti më prekës i tërë kësaj storie filmike. Në këtë moment humbi çdo fjalë dhe veprim. Unë pashë edhe lot gëzimi në ditën e premierës. Ishin të lumtur se e realizuam një projekt që ndoshta është një punë e mbarë. Ideja që vetëm të plasohet produkti final në Diasporë më duket se është gabim. Këto projekte duhet bërë aty që të mishërohesh me situatën, me realitetin dhe me jetën dhe si produkt final duhet të sillen këtu tek ne. E kam fjalën që duhet ndërruar itinerarin e veprimit.
Cila ishte pjesa më e vështirë që ke pasur gjatë këtij filmi?
 
– Të vetëdijshëm se filmi është projekt kushtues, art bën shteti dhe institucionet. Ne i hymë një pune të vështirë, pa mjete materiale, duke u bazuar vetëm në forcat tona. Shpeshherë vullneti nuk mjafton për të bërë gjëra të mira dhe të mëdha. Punën tonë tërë kohën e kanë përcjellë vështirësitë e natyrës së ndryshme, që nga lokacionet për xhirim, transporti, kompletimi i ekipit, sepse aktorët nga Kosova, edhe pse ishte kompletuar, ekipi tjetër nuk na vinte për shkak të vizave. Zvicra, vend ku kushtet atmosferike ndërronin shumë shpejt, na bënte që ta ndërpritnim xhirimin në gjysmë, sepse nga dita me diell në fillim, më vonë binte shi. Kontaktet me mërgimtarët ishin të shpeshta dhe ndonjëherë duhej të ndërpritej puna, meqë vinin për të na vizituar dhe shumë e shumë probleme tjera, por kryesorja ishte mungesa e fondeve që na përcolli që nga dita e parë. Mirëpo, falë vullnetit të mërgimtarëve, të cilët na siguronin edhe qëndrimin, edhe transportin, kjo na e lehtësonte edhe mundin tonë.
Kur do të filloni me pjesën e dytë?
– Skenari dhe punët përgatitore për fillimin e pjesëve të tjera janë gati. Shpresoj që kjo të ndodhë në muajin prill apo maj, por edhe kjo varet nga vetë producenti se sa do të jetë në gjendje të sigurojë sado pak mjete materiale. Pas premierës së filmit janë bërë edhe premtime. Shpresoj që ato të mos jenë të kota, apo në momentin e entuziazmit. Nëse do të realizohet një pjesë e premtuar nga shumë përfaqësues zyrtarë të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe të shoqatave shqiptare që veprojnë në Zvicër, me ndihmën edhe të Ministrisë për Diasporën, vazhdimi dhe përfundimi i pjesëve të tjera të filmit do të jetë shumë më i shpejtë dhe premtoj më i mirë se pjesa e parë.
A ishte e vështirë për Ju, sepse keni ardhur enkas nga vendlindja dhe keni qëndruar shumë ditë larg familjes, vetëm e vetëm që ta realizoni këtë film?
– Ishte një përvojë që më mungonte. Produksioni i Musa Limanit, si dhe SHK «Faruk Begolli» na e lehtësonin punën që të mos ndihemi të vetmuar, e sidomos mërgimtarët që ishin në çdo moment me ne, kështu që nuk duhet të ankohemi.
Jeni në skenë jo më pak se tridhjetë vjet. A jeni lodhur?
– Shumë herë i kam thënë vetes mjaft më, mirëpo kjo është një punë që të provokon dhe nuk të lë të qetë. Që nga viti 1972 pandërprerë, me pauza të vogla, kam punuar në Teatrin e Qytetit të Preshevës dhe gjetkë. Kontributi im ka qenë edhe në Shtëpinë e Kulturës, ku janë organizuar manifestime të ndryshme, jo vetëm teatrale apo skenike. Gjatë punës sime kam realizuar shumë regji edhe nëpër institucione tjera, si kohëve të fundit në Bujanoc dhe me Shoqatën «Dituria». Kjo më bën të ndihem më mirë, edhe pse pas çdo pune të përfunduar më duket se më iku diçka nga vetja ime.
Si është provinca për artin e mirëfilltë, meqë Ju jetoni dhe veproni në Preshevë?
– Presheva, edhe pse provincë, për kulturë për shume vite ka qenë epiqendër e ngjarjeve kulturore mbarëkombëtare, ku janë realizuar edhe tri festivale mbarëkombëtare. Më kujtohet se si i ri dhe aktivisht edhe ti kontribuoje në realizimin e këtyre projekteve madhore. Presheva e ka një publik të kultivuar dhe shumë vlerësues. Edhe pse vend relativisht i vogël, resurset njerëzore në Preshevë nuk mungojnë në të gjitha fushat e kulturës, si artet e shkruara, pamore, skenike. Infrastruktura e kulturës është në një stad të ulët, sepse përveç një salle universale, nuk ka as edhe një objekt tjetër të kulturës, si bie fjala galeri arti, edhe pse ka numër të madh artistësh të njohur edhe jashtë vendit, si Ismet Jonuzi, Eshtref Qahili e Sabedin Etemi, pastaj shkrimtarë, e kohëve të fundit edhe aktorë dhe regjisorë. Ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë kulturore bëhet nëpërmjet një organizate joqeveritare, që për kushtet tona është shumë pak. Për të qenë edhe më keq, si në të gjitha poret e jetës, edhe në kulturë politika e ka bërë të veten, gjë që e rëndon edhe më tepër situatën aspak të mirë në këtë sferë.
Duhet për ta thënë në sy, Si të mirën, ashtu edhe të keqen duhet thënë ndër sy, se vetëm kështu ecim përpara. Jini ai që e keni mbajtur artin e mirëfilltë në Preshevë e rrethinë, a na thoni shkurtimisht se sa po punohet për jetën kulturore në Preshevë?
– Përgjigjen gati e dhashë në pyetjen paraprake, por dua të shtoj se nga një epiqendër, tani jemi një periferi e kulturës. Pa mobilizim të të gjitha forcave, të resurseve njerëzore, pa ngritjen e institucioneve, përkatësisht infrastrukturës kulturore në mënyrë institucionale për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta kulturore, edhe shumë vite do të ballafaqohemi me një gjendje të rëndë. Arti për art nuk ka vlerë. Ai duhet të reflektojë në shoqëri për ta rritur vetëdijen, përmirësimin e kushteve jetësore, për t’u dhënë mundësi avancimi gjeneratave të reja për ta shprehur gjithë atë potencial artistik.
Meqë jeni me prejardhje nga Shkodra, ndihesh më shumë shkodran apo preshevar?
– Kur jam në Presheve ndihem shkodran, e kur shkoj në Shkodër ndihem preshevar. Kjo është një ndjenjë e përzier. Kam jetuar dhe vepruar në Preshevë, kështu që Presheva më bën për vete, edhe pse trungun familjar e kam në Shkodër, kështu që ajo më tërheq.
Keni shkruar shumë libra, kuptohet me dëshirë, por cili të ka pëlqyer më së shumti dhe pse?
– Fillimisht jam marrë me dramatizim për të inskenuar në Teatrin e Preshevës. Më vonë shkrova disa tekste që nuk janë botuar, por megjithatë janë inskenuar, siç janë «Berberhonja», «Kalorësit e Apokalipsës», «TV Llaçka 1,2,3» dhe shumë skeçe humoristike të pabotuara. Botimin e parë e bëra me një novelë satirike «Sherri i Preshevës në derë të Stambollit», që për një kohë ishte e postuar edhe në rrjetin elektronik dhe ka pasur shumë klikime. Kjo më bëri që ta shkruaj dramën «Ëndrra», e më vonë edhe komedinë «Testamenti», e cila është inskenuar nga Qendra për Kulturë e Tetovës. Libri i fundit «Nostalgjia», për të tjerët do ta ruajë një fshehtësi. Meqë edhe ti ishe inspirator, sepse ke botuar shumë libra, besoj se nuk do ta dallosh ndonjërin nga ata.
Ku e gjete frymëzimin për librin e fundit, “Nostalgjia”?
– Sa kalon koha, fillojnë e të mungojnë disa njerëz që e kanë karakterizuar kohën, apo i kanë dhënë ngjyrim kohës në të cilën kanë jetuar. Të mungojnë disa objekte, shokët dhe shumë gjëra që të kanë rrethuar tërë jetën. Deshe apo jo, nostalgjia shfaqet si realitet jetësor, libri pjesërisht është autobiografik, ndërsa pjesa tjetër është narrative për dukuritë dhe ngjarjet që na kanë rrethuar, që janë folur dhe përfolur, për disa dashuriçka dhe ngjarje komike. Por, mbi të gjitha, se tërë jetën sillen vendime në emër të popullit, e populli nuk di gjë për to, këto ishin motivet kryesore që më bën ta shkruaj një libër me pak faqe. Një shkrimtar më pati thënë ‘nëse do që të mos lexojnë kurrë, shkruaj shumë faqe’, andaj unë e shkrova shumë shkurt për ta lexuar, edhe pse është më vështirë të shkruash shkurt, siç është poezia, në të cilën përdoren metaforat dhe nënteksti.
Ke ndonjë projekt që të ka mbetur pa e realizuar në skenë?
– Projektet e mia në skenë e kanë një rrjedhë të ngjarjeve që nga drama, satira e komedia. Edhe pse shumë herë kam filluar ta realizoj një dramë të Rexhep Qosjes dhe të Martin Camajt, rrethanat e krijuara nuk lejuan ta realizohen këto dy projekte shumë të mëdha dhe kjo do të jetë një dëshirë e parealizuar.
A po investohet pak në kulturë, e kam fjalën për viset shqiptare, në përgjithësi?
– Jo pak, por unë kam përshtypje se aspak. Momentalisht kultura shihet si material harxhues, duke e harruar atë shpirtëroren. Kohëve të fundit, duke pasur kontakte të vazhdueshme me të gjitha viset, gjendja është e njëjtë – një mjerim – sepse ndahen mjete vetëm sa për rrogat e të punësuarve, ndërsa për realizimin e projekteve të reja as që mendohet. Ky është një sinjal shumë i keq, sepse do të krijohet një boshllëk në sferën e kulturës, e që me kohë do të kushtojë më shumë se sot.
Mendoni se kultura është ngulfatur edhe nga politika?
– Politika nuk e ka lënë të qetë as kulturën. Punëtorët e kulturës nuk kanë mundur të jenë imunë nga politika dhe në këtë mënyrë kanë rënë pre e politikës.
A i mungon Preshevës një qendër kulturore, ku do të mblidheshin artdashësit dhe intelektualët e pavarur që të kuvendonin dhe të realizonin projekte të mira?
 
– Preshevës së pari i mungojnë intelektualët e pavarur, që së bashku ta ndërtojnë një rezistencë ndaj politikës antikulturore. Unë personalisht njoh shumë njerëz që kishin dashur të jenë të pavarur, por momentalisht është e pamundur, sepse realizimi i projekteve bëhet nëpërmjet politikës.
Sipas jush, pse të rinjtë dhe të rejat po ikin nga Presheva, jo vetëm tani, por që moti?
– Unë jam marrë me këtë temë në dramën «Nita» në vitin ‘94 dhe në dramën «Kalorësit e apokalipsës», ku parashikohej në mënyrë futuriste një shpërngulje dhe një kalorës i pestë – frika kolektive – së cilës i kanë paraprirë edhe politikanët që e kanë frikësuar popullin me një situatë të pasigurt. Ndoshta në atë kohë edhe kanë pasur të drejtë, por vazhdimi i kësaj teme në pafundësi është i pakuptimtë. Ndërsa tani shihet se gjendja është paksa më ndryshe, kushtet ekonomiko-sociale skajshmërisht e bëjnë të pamundur jetën në këtë vend. Nuk ka perspektivë për të rinjtë dhe varfëri të skajshme të një pjese të popullatës. Nuk është lehtë edhe për ata që vendosin ta braktisin vendin e vet, e sidomos për moshat e shtyra. Të rinjtë dhe të rejat janë pa perspektivë, edhe pse shumica me tituj shkencorë detyrohen të kërkojnë rrugë të tjera.
Keni pasur shfaqje teatrale nëpër të gjitha trojet etnike shqiptare. Ku jeni pritur më së miri?
– Janë të pakta vendet ku Teatri i Preshevës dhe unë nuk kemi arritur të shfaqemi me ndonjë projekt, si në Kosovë dhe Maqedoni. Gjithkund na kanë pritur mirë. Ndoshta e kam pasur edhe fatin e mirë, pasi nuk më ka rastisur të shihem me salla të zbrazura, gjithnjë kemi pasur salla të mbushura përplot dhe me pritje të mirë. Por, do ta veçoj një ngjarje që është në memorien time viteve 1995, kur për herë të parë u shfaqëm në festivalin «Vera e Ulqinit». Kalaja ishte e mbushur deri në vendin e fundit, kurse ishim me shfaqjen «Nita», të cilën e shfaqëm natën e dytë, meqë në program ishte «Duke pritur Godonë», mirëpo publiku nuk deshi të shkojë pa e parë edhe dramën «Nita» dhe kështu diku nga ora 24:00 filluam me prezantim. Të nesërmen, kryetari i Komunës së Ulqinit, Mehmet Bardhi, na bëri një audiencë për atë që e bëmë një natë më herët dhe na propozoi që ta vizitonim Katërkollën /Vladimirin/ të nesërmen. Ansambli me kënaqësi e pranoi këtë ofertë dhe të nesërmen ishim vetëm sa për vizitë. Mirëpo, në këtë vend nuk ishte shfaqur asnjëherë ndonjë shfaqje teatrore, sepse kushtet e skenës dhe salla nuk e mundësonin këtë. Pas bisedës me nikoqirin, në insistimin tonë, e improvizuam skenën dhe me praninë e tërë fshatit dhe më gjerë e shfaqëm dramën dhe më pas udhëtuam tërë natën për në Preshevë.
Edhe vajza juaj Afeida që e vogël është paraqitur në role të ndryshme teatrale në Preshevë, shkurt e shqip – ishte dhe mbetet motiv për shumë të rinj e të reja të Preshevës. Ku është faji që këto talente, po nuk dolën jashtë Preshevës, mbeten të lodhur dhe dikur ikin nga profesioni?
– Mbase është në pyetje gjeni, unë e kisha edhe prindin aktor, e Afeida, përveç meje, e pati edhe nënën Besa, që ishte aktore, por të gjithë fëmijët tanë janë marrë me art. Mirëpo, Afeida është rast i veçantë, sepse me një e dramë e prezantoi Kosovën në Festivalin Eksperimental në Kajro, bëri disa projekte, ka punuar si regjisore në dublimin e filmave vizatimorë dhe së fundi e realizoi dramën «Emigrantet». Por, fati i Afeidës nuk dallon nga të tjerët në Preshevë dhe është mëkat që këto talente të rralla, me një potencë të madhe, të mbeten të mbyllura në administratat e kulturës, sepse edhe qendrat tjera kulturore po ballafaqohen me të njëjtin fat si Presheva. Megjithatë, ekziston shpresa se një ditë do të shihen edhe vlerat e reja dhe të mirëfillta.
Kush do ta mbajë përgjegjësinë që nuk është punuar dhe nuk po punohet sa duhet për jetën kulturore në Preshevë me rrethinë?
– Sikur të ekzistonte pjesa e ndërgjegjes si nëndije, sigurisht do t’i kishin thirrur mendjes ata që nesër do të thirren në përgjegjësi morale dhe ata që me të berat dhe të pabërat janë përgjegjës për avancimin dhe kultivimin e vlerave kulturore si ushqim shpirtëror dhe ngritje të vetëdijes individuale dhe kolektive.
Keni qenë pjesëmarrës i shumë organizimeve kulturore mbarëkombëtare. Mendoni se edhe Kosova nuk ka kontribuar sa duhet për sigurimin e hapësirës për krijuesit e të gjitha fushave artistike?
– Edhe pse është një borxh, sepse Presheva është realitet, në kushte më të vështira ne kemi krijuar hapësirë të duhur për të gjithë, por sikur disa gjëra kanë rënë në harresë me apo pa dashje, kështu që akoma kërkohet që vetëm të vihet në Preshevë. Te ne ekziston një bindje se pa përkrahjen e shtetit amë dhe Kosovës, Presheva do të mbetet margjinë kulturore, e që është dëm për të gjithë, jo vetëm për ne.
Mendoni se për Diasporën shqiptare do të duhej të investohej më shumë edhe në drejtim të jetës kulturore?
– Meqë në Diasporë jeton një pjesë e konsiderueshme e trungut dhe gjeografisë sonë kombëtare, edhe atë segment duhet trajtuar si pjesë tonën integrale, nëse dëshirojmë që së paku ta ruajmë qenien tonë njerëzore. Unë mendoj se aty nuk investohet fare dhe mendoj se me Javën e Mërgimtarëve nuk arrihet ajo që mendojnë politikanët, sepse kur vihet këtu mërgimtarët kanë obligime të tjera. Artin duhet sjellë atje, te konsumuesi i fundit, atje duhet ta përjetojë vlerën artistike.
A është vështirë sot ta gjesh mikun e mirë për ta pirë bashkë kafenë e mëngjesit?
 
– Shpresoj se kjo nuk na ka ikur akoma. Kemi edhe pak diçka në vete sa për ta pirë me një mik të mirë së paku një kafe dhe për t’i diskutuar të gjitha këto tema që i shtruam në këtë intervistë, sepse deri sa po përgjigjem më bëtë të ndihem edhe një herë i gjallë. Jemi mësuar me pyetje rutinore që nuk kërkojnë dhe nuk meritojnë as edhe përgjigje të sinqerta.
A është futur edhe ‘tallavaja’ në filma dhe dramat shqiptare?
– Ka pasur së paku tendenca, por mendoj se ky segment është ruajtur. Akoma ka njerëz që mendojnë për vlera të mirëfillta, edhe pse ndonjëherë ka pasur dhe ka tendenca të bëhen «tezgat», sidomos nëpërmjet humorit. Meqë Presheva e ka ruajtur traditën e organizimit të festivalit tradicional «Ditët e komedisë shqiptare», shihet se komeditë janë të nivelit të mirë, me porosi dhe tekste të mira.
Agron Boriqi në kohën e lirë?
– Pos asaj kafesë së mëngjesit, kohën e lirë e kaloj duke lexuar dhe duke shkruar diçka që ka mbetur në memorien time, ndërsa kënaqësinë më të madhe e kam me mbesën Buna dhe nipin Drini, një pjesë të Shkodrës.
Presim ndonjë libër të ri së shpejti nga Ju?
– Pos punës në skenarin e filmit, jam duke e përfunduar një dramë, por për këtë me shpresë në intervistën e radhës.
E sheh veten në politikë?
– Arti është shprehje, nuk është lojë. Unë mendoj se teatri është opozitë konstruktive ndaj dukurive negative në shoqëri dhe kështu unë e kam bërë politikën time, sepse mendoj se artistëve dhe njerëzve të kulturës nuk u takon politika aktive. Kjo do të ishte humbje e dyfishtë.
I respektuar, sigurisht na kanë mbetur se edhe shumë çështje të tjera pa i shtjelluar, por shpresoj se do të kemi mundësi përsëri që në një të ardhme të shpejtë të bashkëbisedojmë. Ju uroj gjithë të mirat Ju dhe familjes!
– Shpresoj të shihemi. Ju falënderoj për nderin që ma bëtë! / www.dialogplus.ch / presheva.com