SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e vlerëson iniciativën e kryeparlamentarit, Kadri Veseli që të takohen për një angazhim shtesë të Ekipit Negociator për t’u koordinuar rreth dialogut Kosovë-Serbi. Këtë deklaratë presidenti Thaçi e bëri në një konferencë për media, pas takimit të iniciuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli me krerët më të lartë të shtetit dhe anëtarët e Ekipit Negociator, për të unifikuar qëndrimin e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut final Kosovë-Serbi.

Presidenti theksoi se uniteti i partive politike është një thirrje edhe për opozitën që të marrin pjesë në këtë proces. “Duke qenë të bashkuar do të kemi me lehtë këtë proces. Mendoj që ky unitet i qëndrueshëm është një thirrje edhe për të tjerët që të marrin pjesë në këtë proces. Procesi është i udhëhequr nga BE.

Aty ku janë SHBA-të është dhe vendimi i institucioneve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të jemi të fokusuar në vendimin tonë të madh. Do ta mbështes fuqishëm Ekipin Negociator. Secili ka dhënë ide për procesin. Bota nuk na ka vetëm neve por dhe ne kemi ditur t’i respektojmë miqtë tanë”, ka thënë Thaçi. Ndërsa, kryesuesi i Ekipit Negociator për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shpend Ahmeti u shpreh se kanë biseduar që temat të hapura në lidhje me dialogun. Ahmeti tha se ka pasur vetëm një kërkesë në takimin e sotshëm, që të bashkohen të gjithë krerët dhe në dialog të flasin vetëm një zë të përbashkët. Ai tha se më 8 janar Ekipi Negociator është i ftuar në Bruksel.

“Më presidentin Thaçi kemi biseduar që temat t’i kemi të hapura në lidhje me dialogun. Do të përfshihen të gjitha temat, prej temës së luftës, e deri të pronat etj. Në këtë takim për koordinim të institucioneve e kam kërkuar vetëm një gjë që duhet të flasim vetëm me një zë. Për të cilat do t’i kemi pikat dhe të cilat si Kosovë do t’i plotësojmë. Më 8 janar Ekipi Negociator është ftuar në Bruksel, që të informojmë për përgatitjet e platformës”, tha Ahmeti. E sa i përket dy partive opozitare LDK dhe LVV, ai tha se këto dy parti i kanë vendet në ekip.

Ai tha se edhe nëse nuk marrin pjesë në këto takime, Ekipi Negociator do të kujdeset që pas çdo takimi të ju dërgojnë letër LDK-së dh LVV-së, për t’i informuar për procesin. “Ata i kanë vendet.

Nëse nuk marrin pjesë ne do t’i informojmë rreth procesit, pavarësisht janë apo jo të përfshirë në proces”, tha ai. Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj tha se përkrah çdo fjalë që u tha në konferencën për media. “I përkrahim ato që u thanë”, tha shkurt Haradinaj.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se që nga dita e nesërme do të njoftohen vendet anëtare të QUINT-it dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për të gjithë procesin. “Takimet do t’i kemi bashkarisht. Qysh nesër do të ftojmë vendet anëtare të Quintit dhe përfaqësues të BE-së që t’i njoftojmë për proceset e vendit tonë. Po e them është proces i lirisë, sovranitetit, territoreve, i njohjes nga ana e Serbisë, si dhe fitimi i ulëses në OKB”, tha ndër të tjera Veseli.