SHPËRNDAJE

Bashkë-kryesuesi i ekipit të dialogut me Serbinë, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se shumë shpejt ekipi negociator do ta dërgojë në Kuvend, platformën e bisedimeve me Serbinë. Në një konferencë për media, Ahmeti ka bërë të ditur se kanë pranuar dokumentet nga kryeministri dhe presidenti.

Ai është shprehur i bindur se platforma do të jetë e gatshme para 30 janarit, kur pritet të fillojë sesioni pranveror në Kuvend. “Besoj që para 30 janarit do të jemi në gjendje ta dorëzojmë platformën e dialogut. Ajo platformë është e bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Ky dialog e ka një qëllim, që ta përmbyllë procesin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka njohje, atëherë, për neve ky dialog as që ka kuptim, dhe as që meriton të humbim kohë sepse është e qartë se Kosova është përfshirë në disa valë të kompromiseve”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu ka treguar se ekipi i dialogut ka krijuar gjashtë komisione në kuadër të mandatit të tij, që e ka marrë nga Kuvendi. Ai ka bërë të ditur se komisionet e krijuara janë: për të zhdukurit, për pronat, trashëgiminë kultutore, për të drejtat e minoriteteve, komisioni për krimet e luftës dhe ai për ekonomi. Lexo po ashtu: Haradinaj në Pejë pyetet edhe për presionin e Amerikës për taksën ndaj produkteve serbe Duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëevshje me Serbinë, Shpend Ahmeti tha se megjithatë është skeptik.

“Jam shumë skeptik që do të ketë marrëveshje, pasi pozicionet janë shumë larg. Duket se Serbia pret edhe më shumë koncesisone, ndërsa ne mendojmë se i kemi dhënë të gjitha koncesionet, dhe mendojmë që Serbia ka nevojë ta heqë problemin e Kosovës”, ka thënë Ahmeti. Ndërsa kur ka folur për kushtin e Beogradit për heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu, Ahmeti u shpreh i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Tha se nuk ka ndonjë afat kohor për vazhdimin e dialogut, apo marrëveshjen finale mes dy shteteve.

“Nuk besoj që duhet të heket taksa. E dyta është që ky vendim është i qeverisë dhe besoj që ajo që duhet të ndodhë, është të kemi kërkesa më konkrete karshi Serbisë, sepse ka 100 tema të ndryshme, ku Serbia në bën dëm dhe nuk i implementon marrëveshjet”, deklaroi Shpend Ahmeti.