SHPËRNDAJE

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti ka konfirmuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar Ekipit që në platformën për dialog të futet edhe Rezoluta për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Ahmeti tha se kjo rezolutë nuk është pranuar të jetë pjesë e dokumentit për dialogun, pasi platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës. Presidenti Thaçi një ditë më parë ka deklaruar se Kuvendit të Kosovës do t’ia propozojë një draft-rezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën. Bashkëkryesuesi i Ekipit të dialogut tha se nuk e di arsyen pse në këtë periudhë vjen një kërkesë që në Kuvend të Kosovës të votohet një rezolutë e tillë, por siç shprehet ai, u mbetet subjekteve politike të vendosin në këtë drejtim. “Nuk e kemi parë ende, nuk e kemi diskutuar, është e vështirë për çfarëdo subjekti politik shqiptar që do t’i thotë jo ndonjë kërkese të qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, sepse e dimë se në çfarë kushte kanë jetuar, por shtrohet pyetja në qoftë se kjo kalon tash, cili është mesazhi që po dërgohet, dhe po e them edhe njëherë presim që ta shohim propozimin konkret nga presidenti.

Unë po iu them që në mbledhje e ka përmendur ka kërkuar që të futet në platformë. I kemi thënë që nuk futet kjo në platformë, sepse ajo është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe meqenëse nuk është në platforme ai pastaj ka të drejtë t’ia dërgojë Kuvendit”, ka thënë Ahmeti. I pyetur rreth deklarimeve të presidentit Thaçi se idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, kreu i PSD-së tha se asnjëherë zyrtarisht nuk është përmendur kjo ide nga ndërmjetësuesit e BE-së, por beson se kjo është kërkesë e Serbisë.

“Mendoj se është e qartë se është kërkesë e Serbisë por po e them edhe njëherë zyrtarisht formalisht në takime asnjëherë nuk është përmendur as nga ndërmjetësuesit në Bruksel, as që e kemi dëgjuar që e ka Serbia, ato çka po dëgjojmë janë supozime, diskutime të pjesshme askush nuk e di se çka do të thonë a është demarkim, demilitim ato janë koncepte komplet të ndryshme. Pra, po përdoren 100 tema për një temë që disa njerëz e dinë por jo të gjithë“, tha i pari i PSD-së. Ahmeti tha se nuk e di se kur do të mbahet seanca për ta votuar Platformën e dialogut, por ata si ekip janë të gatshëm qysh javën e ardhshme ta kalojnë në Kuvend. “Nuk e di është çështje e Kuvendit, ne kur e kemi dorëzuar te kryetari i Kuvendit. Kemi kërkuar që kjo të mbahet sa më shpejt, pra me dëshirë tonë që javën e ardhshme do ta kalonim këtë platformë, sepse unë mendoj se e çimenton apo e betonon qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës, por edhe atë se çka pret dhe cilat janë temat”, tha ai.

I pyetur se a është mbajtur takimi i ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ku do të diskutohet rreth taksës, Ahmeti tha nuk do të jenë më pjesë e takimeve që diskutohet për taksë, derisa ai është vendim i Qeverisë së Kosovës, pjesë e të cilit nuk është partia që ai udhëheq. “Jo, unë e ka thënë shumë herë unë më në takime për taksën nuk shkoj sepse nuk jam as anëtar i Qeverisë, as anëtar i koalicionit. Taksa është vendim qeveritar. Ajo çka po ndodh unë, kam thënë të ndarë rreth këtij drejtimi na e dobësojnë pozicionin shumë, nuk mundemi t’i kërkojmë bashkësinë ndërkombëtare që t’i kërkoj Serbisë uljen në tavolinë pa kushte në momentin kur një anëtar i koalicionit i Qeverisë thotë hiqe, e njëri thotë mbaje.

Pra, edhe ata po e dinë që ka qëndrime të ndara rreth kësaj çështje. Nuk kam qenë në atë takim”, ka thënë Ahmeti. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht kërkon korrigjimin e kufirit me Serbinë, ka thënë se idenë e korrigjimit e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellë pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Kosovën.