SHPËRNDAJE

Është Thiago Alcantara futbollisti që i ka shtuar cilësinë mesfushës së Bayern Munchen këtë sezon. Mesfushori 22-vjeçar, i cili u rrit si futbollist në akademinë e Barcelonës dhe cilësohej si një nga talentet më të mëdha të “La Messia”-s, la Barçën për t’u transferuar në Gjermani në verën e vitit të kaluar, pasi te katalanasit luante shumë pak.

Megjithatë pavarësisht se u rrit si futbollist te Barcelona, Thiago në një intervistë deklaroi se nuk i detyrohet për asgjë klubit blaugrana dhe është shumë i kënaqur për kalimin e tij në “Allianz Arena”.

“E falenderoj Barcelonën për mundësinë që më dha, por unë nuk i detyrohem aspak atyre. Largimi nga Barça ishte një vendim totalisht i imi pasi askush nuk më vendosi mua një armë në fytyrë dhe më detyroi ta bëja atë gjë. Besimi i klubit kundrejt meje ishte shumë i paktë dhe kjo ishte arsyeja e largimit tim, pasi unë dëshiroja të luaja sa më shumë ndërsa te Barça isha gjatë gjithë kohës duke ngrohur stolin e rezervave. Megjithatë tani ajo periudhë e keqe e karrierës ime ka kaluar dhe jam shumë i lumtur për transferimin te Bayerni. Këtu unë kam gjetur atë çka kërkoja”, ka thënë mesfushori i bavarezëve.

Thiago Alcantara këtë sezon edhe pse për disa kohë ka qenë i dëmtuar e ka mbajtur veshur fanellën e Bayernit në 20 ndeshje gjatë të cilave ka shënuar edhe tre gola.