SHPËRNDAJE

Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nesër në aeroportin e Rinasit – nga ku edhe do të niset për vizitën e tij në Serbi – nuk do ta përcjellin vetëm mediat.

Është Aleanca Kuq e Zi e cila do të protestoj nesër në Rinas, për të kundërshtuar vizitën e tij në shtetin serb.

Udhëheqësi i kësaj Aleance, Kreshnik Spahiu, ka thënë për KosovaPress se kryeministri shqiptar, me këtë vizitë do t’i bëjë nder vetëm shtetit serb.

“Vizitë kjo për të treguar se Serbia është e qëndrueshme dhe është shtet që garanton stabilitetin dhe paqen dhe pas kësaj nuk do të jetë Shqipëria, por serbët dhe shteti i tyre të cilët do të përfitojnë politikisht”, ka thënë Spahiu.

Protesta e Aleancës Kuq e Zi, sipas Spahiut, do të fillojë qysh në orët e para të mëngjesit, me një banderolë gjigante ku shkruhet “Kosova është Shqipëri”.

Aleanca Kuq e Zi do t’i bëjë thirrje kryeministrit Edi Ramës që fjalët “Kosova është Shqipëri” t’i thotë edhe ai mu në mes të Serbisë, ashtu siç kishte vepruar patriarku Irinej në Shqipëri, ku nga goja nxjerri fjalët “Kosova është Serbi”.

Një gjë që duhet ta ketë parasysh Edi Rama në Beograd, sipas Aleancës Kuq e Zi, është edhe kërkimfalja për gjenocidin në Kosovë, që Rama duhet ta kërkojë nga shteti serb.

“Ne nuk duhet ta harrojmë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve. Askush nuk mundet të shkojë e të ulet i barabartë në mes të Beogradit nëse Serbia nuk kërkon falje ndaj shqiptarëve dhe asaj çfarë ka bërë për vite të tëra”, thotë Spahiu.

Aleanca Kuq e Zi kërkon që askush mos ta nëpërkëmb dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve. /KP/