SHPËRNDAJE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot shefin e delegacionit të Parlamentit Evropian për çështjet e Serbisë, Eduard Kukan.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe themelimi i ushtrisë së Kosovës, ishin temat kryesore e takimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të delegacionit të Parlamentit Evropian për çështjet e Serbisë, Eduard Kukan.

Siç bëjnë të ditur mediat serbe, në këtë takim Vuçiq ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të dialogut.

Po ashtu siç bëhet e ditur, Vuçiq e ka njoftuar Kukan për arsyen e ndërprerjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që sipas presidentit serb, arsyeja e vetme është moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga ana e Kosovës e në veçanti moskrijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Vuçiq, ka theksuar se anëtarësimi i plotë i Serbisë në Bashkimin Evropian është prioritet i politikës së jashtme të Serbisë dhe se sipas tij, Serbia në BE do t’i kontribuonte stabilitetit dhe zhvillimit më të shpejt ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq në këtë takim citohet të ketë folur edhe për themelimin e ushtrisë së Kosovës, e që sipas tij, themelimi i kësaj ushtrie do të sillte destabilizim në rajon.

“Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun, pavarësisht faktit se situata politike dhe siguria e serbëve në Kosovë është e pafavorshme”, ka thënë Vuçiq.

Në anën tjetër shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për çështjet e Serbisë, Eduard Kukan, ka vlerësuar se Serbia ka arritur progres në ekonomi, kështu duke vënë në dukje se investitorët e huaj janë të kënaqur me klimën e biznesit në Serbi, e që sipas Kukan, një gjë e tillë është e mirëseardhur për BE-në.

Gjithashtu Kukan citohet të ketë thënë se Serbia është shtylla e stabilitetit në rajon dhe se është e nevojshme të punohet në përmirësimin e situatës në fushën e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.