SHPËRNDAJE

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ua ka tërhequr vërejtjen lojtarëve të tij që nëse përsëritet performanca sikurse ndaj Spalit, atëherë ndaj Milanit do të pësojnë humbje.

Rezultati prej 4-1 nuk reflekton vështirësinë që ka pasur Juventusi ndaj Spalit, përfshirë një gol i anuluar për ofsajd për barazim 2-2. Dhe, Allegri beson se ekipi i tij duhet të përmirësohet.

“Nëse luajmë kështu në San Siro dhe përsërisim këtë performancë ndaj Milanit, atëherë ne natyrisht se do të pësojmë humbje”.

“Ne nuk kemi punuar mirë, përpos golave duhet që të mbajmë intensitetin dhe koncentrimin. Ne kemi vënë veten në telashe ndaj Spalit që gati sa nuk u kthye në lojë”.

“Shpresoj se kjo është hera e fundit që unë e kam hedhur xhaketën time në fushë për shkak të hidhërimit”, potencoi Allegri.

Juventusi mban vendin e tretë me 25 pikë, një pikë më pak se Interi në vendin e dytë dhe tri pikë më pak se Napoli në vendin e parë.