SHPËRNDAJE

Fitorja 3-0 me Borussian e Dortmundit në takimin e parë cerekfinal të Champions League ka rikthyer besimin në shtëpinë e Realit të Madridit. Mesfushori i Los Blancos Xabi Alonso siguroi se skuadra e tij ka akoma shanse për të triumfuar në La Liga dhe deri në fund të sezonit mund të ketë shumë surpriza.

“Edhe në fillim të sezonit ishim pas Atleticos dhe Barçës dhe u ngjitëm në krye pse të mos ta bëjmë sërish këtë gjë. Unë besoj se deri në fund të kampionatit do të ketë shumë surpriza pasi ka akoma shumë sfida për tu zhvilluar. Cdo ndeshje në cdo kompeticion është si një finale për ne. Me Dortmundin bëmë një paraqitje të mirë por tani duhet të përqëndrohemi te takimi me Real Sociedad”, tha Xabi Alonso.

Më tej mesfushori spanjoll foli për dy humbjet që pësoi skuadra e tij ndaj Barcelonës dhe Sevillas.

“Nuk është e lehtë të shpejgohet. Skuadrat që na mundën janë në një formë të mirë ndërsa ne luajtëm keq në ato dy ndeshje. Bëmë gabime dhe i paguam shtrenjtë duke rrëshkitur në vendin e tretë të klasifikimit”, vijoi basku.

I pyetur për objektivat e “Los Blancos” në këtë sezon Alonso deklaroi: “Në Champions League kemi akoma shumë rrugë për të bërë ashtu edhe në La Liga. Championsi është një kompeticion me prestigj të madh dhe mbi të gjitha Reali ka shumë vite që nuk e fiton. Megjithatë ne nuk mund të zgjedhim. Kemi mundësi të mira në të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë”.