SHPËRNDAJE

Rasti i të ndjerit Hetem Bediut, mërgimtar nga Dobrosini, i cili ka vdekur më 25 janar 2014 në Cyrih të Zvicrës, i cili më 28 janar 2014, në pikën kufitare Kosovë- Serbi, te Dheu i Bardhë, nuk u lejua nga policia e Serbisë që të zbatohet Amaneti tij që të varroset në vendlindjen e tij në Dobrosin!
Ky rast ka tronditur rëndë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, e sidomos fshatin e tij të lindjes dhe familjarët, të cilët janë prekur deri në palcë dhe janë trishtuar e indinjuar nga ky akt barbar dhe i padëgjuar!
Djali i të ndjerit, Hajredin Bediu deklaron i trishtuar nga dhëmbja për babain, e veçanërisht nga pamundësia që ta zbatoj amanetin e tij të lënë me gojë që të varroset në vendlindjen e tij të dashur  në Dobrosin, nga i cili kishte mërguar 35 vite më parë, në Zvicër, për të siguruar me ndershmëri dhe përkushtim kafshatën e gojës për vete dhe familjen.
Duhet theksuar se i ndjeri Hetem Bediu posedonte komplet dokumentacionin e rregulltë nga spitali Zviceran, si dhe pasaportën e rregulltë dhe dokumentacionin tjetër për pronat në vendlindje.
Arsyeja e policisë ishte se kufoma e të ndjerit kishte ardhur përmes Aeroportit “Adem Jashari” të Prishtinës, andaj nuk u lejua të hynte në Serbi përmes pikës kufitare te Dheu i Bardhë.
Por, nuk mundem kurrësesi ra kuptoj se pse nuk është angazhuar fare pushteti lokal i komunës së Bujanocit, që qeveriset nga mazhoranca shqiptare e PD të Nagip Arifit, i cili aktualisht është kryetar komune, si dhe nga LPD e Jonuz Musliut, i cili është edhe kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit.
Nga mediat mësuam se këta as që ishin informuar fare, dhe se paskan marrë vesh shumë vonë!
Kjo sjellje e tyre është, thënë më së buti, e pakuptueshme dhe e pafalëshme!
Sepse, raste të problemeve lidhur me hyrjen e kufomave dhe varrosjen e tyre në vendlindje. Së paku 10-11 raste të tilla kemi pasur në Preshevë gjatë kohës së regjimit të egër Millosheviqit, si dhe gjatë luftës së vitit 1999 dhe pas saj.
Në disa raste, procedura dhe maltretimet në kufi kanë zgjatur madje edhe deri në 48 orë.
Por, asnjë rast të vetëm nuk kemi pasur kthim prapa, meqë kemi qenë këmbëngulës deri në fund dhe nuk kemi lejuar që të mos zbatohet amaneti i tyre për t’u varrosur në vendlindje!
 Prandaj ky rast i ka tejkaluar të gjithë kufijtë dhe faji gjithësesi bjen edhe tek udhëheqësia komunale (shqiptare) e Bujanocit.
Kjo është një njollë e zezë dhe makabre e kësaj udhëheqësie komunale, për të cilën ata duhet të japin përgjegjësi para Zotit dhe para popullit!
Dua të ju përkujtoj se një shekull më parë, në një qytet të SHBA, në Boston, kishte ndodhur një rast i ngjajshëm, me rastin e vdekjes së një të riu shqiptar ortodoks, të cilin Kisha Ortodokse Greke kishte refuzuar ta varroste.
Atëherë komuniteti shqiptar në krye me Fan Nolin organizohet, i kryen shërbesat fetare sipas rregullit dhe e varrosin, duke themeluar njëkohësisht Kishën Autoqefale Shqiptare.
Natyrisht se nuk ka akt më sublim dhe më të shenjtë se zbatimini amanetit të fundit të të ndjerit që të varroset dhe të prehet në paqe në vendlindje, te varret e prindëve, farefisit dhe stërgjyshëve.
 Kurse sot, në shek. XXI paria  shqiptare e komunës së Bujanocit nuk ishte në gjendje që t’ia mundësoj një bashkëqytetari dhe bashkëkombësi të tyre të varroset në vendlindje, duke e detyruar që ta shkelin ananetin dhe dëshirën e fundit dhe e varrosin në Gjilan!
Këta pushtetarë shqiptarë e kanë gojën plotë patriotizëm, kurse nuk ishin në gjendje të angazhohen për një çështje kaq elementare dhe njerëzore.
Familjes së të ndjerit i shprehim ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë dhëmbjen dhe trishtimin me këtë akt barbar dhe të padëgjuar në botën demokratike.
 I inkurajojmë familjarët që këtë çështje ta çojnë deri në fund në të gjitha instancat, madje edhe deri në Strauburg.
 Për këtë do ta kenë mbështetjen e pakursyer vëllazërore e njerëzore të të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe të të gjithë shqiptarve kudo që janë!

Shkruan: Nehat Hyseni