SHPËRNDAJE

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, ka reaguar ndaj një takimi të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq. Siç kanë raportuar mediat serbe, , zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, ka pritur zëvendësministrin e Jashtëm të Venezuelës, Yvan Gil, i cili ka qëndruar në Beograd më 19 dhe 20 shkurt si pjesë e turneut të tij evropian.

Përmes një njoftimi, mediumi Tanjug ka shkruar se Daçiq vlerësoi se Serbia dhe Venezuela karakterizoheshin nga një miqësi e gjatë, e cila reflektohet në mbështetjen reciproke në planin ndërkombëtar. Ai, siç thuhet tutje, e ka falënderuar pozicionin venezuelian mbi çështjen e Kosovës, si dhe për votimin kundër të pranimit të Kosovës në Interpol dhe UNESCO.

Lidhur me këtë, ambasadori Scott ka shkruar se me këtë veprim, Serbia po qëndron në anën e gabuar të historisë. “Populli venezuelian po vdes nga uria nën sundimin e paligjshëm të regjimit diktatorial. Më shumë se 50 vende në Amerikën Latine, Amerikën e Veriut dhe në Evropën Perëndimore qëndrojnë pranë popullit të Venezuelës dhe presidentit të përkohshëm i Guaido. Serbia është në anën e gabuar të historisë”, ka shkruar Scott në Twitter.

Ndryshe, ditë më parë, kryetari i Parlamentit venezuelas, Juan Guaido, është vetëshpallur president i vendit. Siç ishte raportuar, kryetari i Parlamentit, që kontrollohet nga opozita, u vetëshpall president në detyrë para mijëra përkrahësve të mbledhur në Karakas. “Betohem të marr formalisht kompetencat e ekzekutivit kombëtar si president në detyrë të Venezuelës për të krijuar një qeveri të tranzicionit dhe për të realizuar zgjedhje të lira”, deklaroi ai. Nga ana tjetër edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar menjëherë duke njohur presidentin e Parlamentit si të përkohshëm.