SHPËRNDAJE

Në mbledhjen e mbajtur sot të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, është vendosur që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa bëri të ditur se kanë arritur marrëveshje që në zgjedhje të parakohshme kandidate për kryeministre të jetë Vjosa Osmani.

Dhe një vendim i tillë ka nxitur reagime të shumta. Por çfarë mendojnë analistët politikë?

Analisti Imer Mushkolaj duke komentuar nominimin e Osmanit për kryeministre tha se është respektuar vullneti i elektoratit të LDK-së.

“Çdo emër tjetër do të sillte zhgënjim në mesin e votuesve të kësaj partie. Mbetet të shihet nëse ky vullnet do të respektohet edhe pas zgjedhjeve, në koalicionin qeverisës që do të krijohet”, ka thënë Mushkolaj.

Po ashtu, edhe analisti tjetër politik, Ramush Tahiri komentoi nominimin e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës.

“Është mirë që LDK si partia më e madhe momentalisht, që ka numrin më të madh të deputetëve 25 ka arrit konsensus që me nominu ose prezantu kandidatin për kryeministër që të garojë në zgjedhjet e ardhshme të ishte mirë që edhe në këtë rast bartëse e listës të jetë Vjosa Osmani”, pohoi ai për Telegrafin,

Ndër të tjera, Tahiri tha se LDK do të ishte mirë të bëjë një fushatë të dinjitetshme, që do t’iu ofronte të gjithë qytetarëve programin dhe atë që përfaqëson Vjosa Osmani.

Gjithashtu, ai shtoi se kandidimi i Vjosa Osmanit nënkupton se LDK nuk do të bëjë koalicione parazgjedhore.

“Kandidimi i Vjosa Osmanit do të thotë se LDK do të shkojë vetëm dhe pa koalicion parazgjedhor, sepse më nuk i ka mundësitë që të bisedojë më partnerët e mundshëm rreth nomimit për kryeministër. Ky nomimin është simbolik dhe është politik, sepse si i tillë nuk regjistrohet në KQZ, por pas zgjedhjeve nëse LDK del e para, atëherë ka të drejtë kushtetuese që të nominojë kandidatin për kryeministër”, tha ai.

Ndryshe, presidenti i Republikës sё Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrё sot vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës dhe ka caktuar ditën e diel, 6 tetor 2019, datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Sipas njoftimit për media, në vendimin e nënshkruar thuhet se “duke u bazuar nё pёrgjegjёsitё kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrё vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës tё mbahen mё 06 tetor 2019”.