SHPËRNDAJE

“Gareth Bale është komod në krahun e djathtë të sulmit dhe aty do të vazhdojë të luajë”. Kjo është fjalia me të cilën e ka nisur konferencën e shtypit trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti në prag të ndeshjes së Copa del Rey kundër Espanyol. Ai shton se uellsiani nuk do të aktivizohet në këtë takim për shkak të një problemi fizik, ndërsa e pranon se në formacion do të ketë ndryshime.

“Po është e vërtetë që do të bëj disa ndryshime por vetëm për të shmangur rrezikun e dëmtimit për disa lojtarë. Kemi një avantazh të vogël pas fitores 1-0 por ndeshja mbetet e hapur, prandaj ekipi që do të zbresë në fushë do të japë maksimumin”, ka thënë Ancelotti.

Lionel Messi është rikthyer në dispozicion të Barcelonës dhe Ancelotti shkëput një mendim edhe për argjentinasin.

“Ai ka treguar një gjendje të mirë fizike. Besoj se është rikuperuar plotësisht dhe tashmë po i jep një dorë të madhe ekipit të tij. Edhe pse nuk po shënon rregullisht, ai mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për Barcelonën”, u shpreh italiani.

Primera Division është më e hapur se kurrë tani që Reai ndodhet vetëm një pikë larg dyshes kryesuese dhe tekniku italian shprehet i kënaqur për këtë situatë.

“E dinim se ndaj Granadas nuk do ta kishim të lehtë por skuadra luajti me besim të madh në vetvete. Konkurrenca e lartë për titullin këtë vit shikon tre skuadra protagoniste dhe ky është një sinjal i mirë për futbollin spanjoll2, përfundoi fjalën e tij Carlo Ancelotti.