SHPËRNDAJE

Sezoni negativ që po zhvillon Manchester united në vitin e parë të drejtimit të skuadrës nga David Moyes e ka vënë në një pozitë të vështirë bordin drejtues të klubit anglez, që po merr në konsideratë shkarkimin e skocezit.

Sigurisht që asgjë nuk pritet të ndodhë para dy ndeshjeve cerekfinale të Champions Ligë me Bayernin e Mynihut, por është fakt që në varësi të ecurissë në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube do të merret edhe vendimi për të ardhmen e Moyes.

Nga Anglia Dailystar raporton se pasuesi i 50-vjecarit në Old Traford do të jetë Carlo Ancelotti, pozicioni i të cilit në Santiago Bernabeu është vënë në dyshim pas dy humbjeve radhazi në Primera Division me Barcelonën dhe Sevillan.

Nëse Reali i Madridit dështon të fitojë kampionatin dhe Kupën e Mbretit, si dhe eliminohet nga Champions Ligë, atëherë për italianin largimi nga kryeqyteti spanjoll do të ishte i pashmangshëm.

Pikërisht këtë situatën e dyshimtë të Ancelotit kërkojnë ta shfrytëzojnë drejtuesit e United, që nuk do të mendoheshin gjatë për ta shkarkuar Moyesin nëse trajneri aktual i Los Blankos do të pranonte transferimin në Premier Ligë, kampionat që e njeh mirë, pasi në sezonet 2009-2011 ka drejtuar Chelsean.

Po sipas Daily Star, kandidatura të tjera të forta për zëvendësimin e trajnerit aktual të djajve të kuq janë Jurgen Klopp dhe Diego Simeone, por gjithcka do të varet sesi këta trajnerë do ta mbyllin sezonin. Gjithsesi fati i David Moyes duket i vendosur dhe vetëm një mrekulli më Champions Ligë mund ta shpëtojë pozicionin e tij si trajner i Manchester United.