SHPËRNDAJE

Shtëpia Botuese Onufri, do të botojë Antologjinë e Fëmijëve të talentuar të Luginës së Preshevës, në kuadër të vitit 2020, të shpallur mbi bazën e një memorandumi të nënshkruar mes Komunës Preshevë dhe Albanian Excellence, si Viti i Preshevës nën moton , “Ne jemi me Preshevën “.

Botimi i kësaj antologjie, ideuar nga Albanian Excellence dhe mbështetur nga Biblioteka e qytetit te Preshevës, “Mehmet Jusufi “, do të realizohet nga shtëpia botuese “Onufri “, duke marrë një rëndësi dhe më të madhe nisur dhe nga fakti se kjo shtëpi botuese e njohur me botimet e saj cilësore, ka të drejtën ekskluzive të botimit të librave të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare.

Lajmi u konfirmua për Albanian Excellence nga themeluesi dhe botuesi i Onufrit , Bujar Hudhri i cili kërkesës pa kushte të Albanian Excellence për botimin e kësaj Antologjie, me shumë zemërgjerësi ju përgjigj pa asnjë hezitim duke pohuar se, “do të mbështesë botimin e kësaj antologjie për fëmijët e talentuar të Luginës së Preshevës, një iniciativë që merret për herë të parë këtej kufirit, si një kujtim shumë simbolik dhe po aq fisnik për fëmijët që kanë dëshirë të shkruajnë letërsi në gjuhën e tyre amtare”.

Drejtoresha Ekzekutive e Albanian Excellence, Flora Nikolla, tha se “ kjo është një nga nismat më të bukura që qendra që ajo drejton ka marrë në nisje të Vitit të Preshevës. “Duke gëzuar e duke stimuluar të rinjtë , ne stimulojmë dhe gëzojmë të ardhmen”, tha zonja Nikolla.

Reshat Neziri, drejtor i Bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi”, në Preshevë, është shprehur pak kohë më parë entuziast për botimin e Antologjisë nga fëmijë të talentuar te qytetit të skajshëm të kombit nga 8 deri në 14 vjeç .

Neziri duke mbështetur këtë nismë të Albanian Excellence është shprehur se “është bukur që së bashku do të të realizojnë këtë projekt në përkrahje të talenteve të fjalës së shkruar”.

Ndërkohë grupi i punës që po punon për mbarëvajtjen e kësaj Antologjie e përbërë nga gazetarja Ardita Behluli dhe Hasan Hasani organizatorë në Bibliotekën e Preshevës , vazhdojnë punën shumë sistematikisht.

Ata janë takuar ditët e fundit me drejtorët e shkollave të qytetit dhe të rrethinave të cilët ju kanë dorëzuar dorëshkrimet e fëmijëve.

Mësuesit gjatë këtyre takimeve janë shprehur të ngazëllyer për krijimet e fëmijëve të cilët kanë sjellë një numër të konsiderueshëm poezish me tematikë, dashurinë për Shqipërinë, prindërit, gjuhën shqipe ashtu dhe për probleme të ndryshme sociale që i shqetësojnë në të përditshmen e tyre etj.

Libri është menduar që të jetë gati në pranverën e vitit 2020 kur mbyllet edhe faza e parë e memorandumit mes Albanian Excellence dhe Komunës së Preshevës.
Pas grumbullimit të të gjitha shkrimeve, juria e përzgjedhur për këtë event të rëndësishëm, do të bëjë përzgjedhjen e poezive më të mira të fëmijëve të talentuar duke mundësuar më pas “Onufri” botimin e librit i cili do të jetë falas dhe sigurisht jo vetëm një kujtim i bukur por dhe një institucionalizim në zhvillimin e mëtejshëm të fëmijëve të talentuar të Luginës së Preshevës./presheva.com/