SHPËRNDAJE

Këshilli Nismëtar i APN-së në Bujanoc
KOMUNIKATË

Me moton “ Të rikthejmë shpresën “ Alternativa për Ndryshim ka nisur me formimin e strukturave partiake në komunë të Bujanocit.
Mbi 100 anëtarë i’u kanë përgjigjur ftesës së Këshillit Nismëtar dhe me prezencën e tyre në sallën e vogël të shtëpisë së kulturës në Bujanoc janë bërë themeltarë të Kuvendit të Nëndegës në këtë qytet.

Gjatë ecurisë së punimeve është zgjedhur edhe kryesia në përbërje prej 27 anëtarëve, kurse unanimisht për kryetar të Nëndegës së APN-së për Bujanocin është zgjedhur Arsim Asllani.
Pasi ka falenderuar të pranishmit për besimin e dhënë, Asllani është zotuar se do të angazhohet maksimalisht për avancimin e partisë gjë që do të përkojë edhe me angazhimin në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve brenda komunës dhe më gjërë.
“ Mbi të gjitha këtij populli e veçmas kësaj rinie duhet rikthyer shpresën, gjë që edhe jo rastësisht është sllogan i yny, shpresë kjo e shuar gradualisht dekadave të fundit “, ka thënë Asllani.
Ai ka vënë një paralele midis demonstratave të stdudentëve të Universitetit të Prishtinës të organizuar më 1 tetor të vitit 1997 dhe kuvendit të sotëm zgjedhor në Bujanoc. “ Para 20 vjetëve ishin studentët ata të cilët filluan ta kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbër nga regjimi i Millosheviqit, ndërsa nga sot ne do të përpiqemi t’i largojmë nga skena politike diktatorët lokal “, është shprehur pas zgjedhjes kryetari i nëndegës së Apn-së në Bujanoc, Arsim Asllani.
Para pjesës zyrtare të tubimit të sotëm të pranishmit i kanë përshëndetur edhe koordinatori i APN-së për komunë të Bujanocit, Arbër Pajaziti dhe kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi.
“ Përkundër shantazheve, kërcënimeve, bisedave informative dhe formave tjera të presionit nga strukturat e prapambetura politike ne gjetëm forcë të organizohemi dhe ky organizim i yni sa po vjen e rritet. Nga kjo fuqi e jona disa liderë dhe politika të udhëhequra klanore e grupore do t’i përkasin historisë së shëmtuar. Po vjen koha e ndryshimit, koha e gjërave pozitive dhe koha e tranparencës, kurse mbrapa po e lëmë kohën e takimeve nëpër zyret e SPS-it, darkave të restoranteve maqedone të Kumanovës dhe vendimeve të dëmshme për Bujanocin “, ka thënë Arbër Pajaziti.
Kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi, ka thënë se sot është vetëm fillimi dhe tash e tutje na presin beteja të vërteta për Bujanocin dhe Luginën. Me këtë rast, ai ka cituar ish-kancelarin gjerman, Helmut Kol, me një deklaratë pas rënies së Murit të Berlinit, “ Tani nuk duhet ndalur hovin “. Dhe ky hov nuk duhet ndalur derisa të ndalen së vepruari politikisht, strukturat e demoduara.
Kryesia e nëndegës së APN-së në Bujanoc ka zgjedhur edhe 3 nënkryetarë, Idriz Rexhepi,Florim Agaj dhe Ramil Aliu. Për sekretar është zgjedhur Mendim Sopi, kurse arkatar është zgjedhur Erduan Fazliu.
Konstituimi i nëndegëve të APN-së do të vazhdoj ditëve në vijim edhe atë me zgjedhjen e strukturave partiake nëpër vendbanime tjera shqiptare të komunës së Bujanocit.

Bujanoc: 01.10.2017
Këshilli Nismëtar i APN-së, Bujanoc