SHPËRNDAJE

Në intervistën dhënë presheva.com kryetari i Partisë Demokratike Nagip Arifi, ka thënë se edhe përkundër faktit se jemi në një gjendje të jashtëzakonshme, kriza financiare në pushtetit lokal në Bujanoc nuk është krijuar nga pandemia, ajo është shkaktuar si pasojë e keqmenaxhimit.

”Iu premtuan edhe studentëve bursat që do t’i marrin në muajin mars, gjithashtu iu premtua edhe aftësimi profesional shum të rinjeve që nga fillimi i vitit 2018 e kendej, por me të kuptuar se zgjedhjet po shtyhen, ky pushtet me logjikën e saj shtyu edhe pagesat e bursave aftesimin profesional, subvencionet për bujqit e ndërmarsit”

Presheva.com: Z.Arifi, jemi në gjendje të jashtëzakonshme me epideminë Covid-19. Sa është dëmtuar zhvillimi ekonomik në përgjithësi, në komunën e Bujanocit në veçanti?

Arifi: Gjendja e jashtëzakonshme si rrjedhojë e shfaqjes dhe përhapjes së pandemisë Covid-19 në mbarë rruzullin tokësor ka paralizuar gjithë vendet e botës dhe ka prekur çdo fushë të saj.

Është kufizuar liria e lëvizjes, janë mbyllur institucionet arsimore e fetare, janë ndëprerë të gjitha evenimentet kulturore, artistike e sportive, janë marrë masa për kufizimin e aktiviteteve biznesore, e çka jo tjetër, me qëllimin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve.

Nuk do fjalë, se si në të gjitha vendet tjera, ekonomia ka pësuar një goditje të rëndë gjatë kësaj kohe. Shumë subjkete ekonomike janë duke vepruar me humbje, e për shumë të tjera raportohet se janë mbyllur ose janë në pragë të mbylljes.

Edhe pse, nuk kemi statistika të sakta për ekonominë lokale në Bujanoc, por ajo që shihet në teren dhe nga kontaktet me sipërmarrës jemi të njoftuar se kjo pandemi nuk ka lënë pa e prekur edhe ekonominë e komunës së Bujanocit.

Presheva.com: Nëse shikojmë masat e ndërmarra në përgjithësi dhe ato që kanë ndërmarrë komunat përreth, a është bërë mjaftueshëm në komunën tonë?

Arifi: Mendoj se të gjitha masat që janë në ndërmarrë në territorin e Republikës së Serbisë kanë vlejtur për të gjitha komunat.

Pra, me urdhër të qeverisë janë detyruar që komunat të respektojnë ato urdhëra, si bie fjala, masa për respektimin e orës policore, ndalesa që iu është bërë disa bizneseve, e kështu me radhë.

Prandaj, kjo i mbetet më shumë në ndërgjegjen e qytetarëve se sa janë të gatshëm të sakrifikojnë për shëndetin e tyre.

Presheva.com: Me mjetet e buxhetit janë siguruar 500 mijë dinarë për përkrahjen e familjeve me kushte të vështira, a ka patur nevojë për më shumë ndihma?

Arifi: Sigurisht që ka nevojë për më shumë ndihma. Komuna jonë bënë pjesë në mesin e komunave më të varfëra në Serbi, si pasojë shumë familje janë duke jetuar me ndihma sociale.

Sa i përket shumës prej 500 mijë dinarëve të komunës së Bujanocit për t’i dale në ndihmë familjeve në nevojë, mendoj se është shumë pak.

Kemi shumë njerëz që këto ditë vullnetarisht, bile edhe aktivist tane politik po ndihmojnë familjet në nevojë me shuma shumë më të mëdha se këto, por që asnjëherë s’kanë pranuar ta promovojnë veten e tyre apo subjektin e tyre politik.

Mirëpo, duke e ditur se komuna e Bujanocit po përballet me probleme të shumta financiare, si rezultatet i keqmenaxhimit, t’ju them të vërtetën nuk kam pritur edhe më shumë.

Ndonëse, si iniciativë ka qenë e mirë dhe ia ka vlejtë të përshëndetet, por me rastin e shpërndarjes është vërejtur se ato ndihma i kanë shpërndarë njerëz të partisë që janë bartëse të pushtetit, madje disa prej tyre edhe kandidatë për këshilltarë potencial për kuvendin e ardshhëm komunal.

E gjithë kjo, ia ka humb kuptimin solidaritetit, dhe më shumë është shfrytëzuar për poena politik.

Presheva.com: Z.Arifi, pushteti kohën e fundit është përballur me bllokada financiare të njëpashnjëshme, ju si opozitë nuk jeni parë të jepni ndonjë përkrahje në këtë drejtim?

Arifi: Me bllokadat financiare të këtij pushteti tashmë jemi mësuar, dhe kjo nuk paraqet ndonjë risi më. Bllokada e probleme financiare ka pasur ky pushtet edhe vitin e kaluar, për çka ne kemi dhënë vërejtjet dhe kritikat tona vazhdimisht.

Sa i përket asaj, që ne si parti nuk i kemi dhënë përkrahje në këtë drejtim, mendoj që gjithë ajo ndihmë që kemi mundur t’i japim kanë qenë seancat e kuvendit komunal ku gjithmonë kemi shprehur brengën për keqmenaxhimin e pushetit lokal, korrupcionin që po lulëzon, shpërndarja e parasë publike pa kontroll, etj.

Besoj, që ne si parti opozitare që kemi qenë këto 4 vite, nuk kemi mundur ndryshe t’i ndihmojmë, përveç vërejtjeve, kritikave që kemi bërë në drejtim të pushetit në këto seanca, apo në konferencat për medija që i kemi pasur.

Presheva.com: Përshkak të pandemisë pasojat do ti vërejnë bujqit, ndërmarrjet, sporti, OJQ, mediat, thënë ndryshe i gjithë zinxhiri zhvillimor. Si e shef zgjidhjen PD, nëse ka një të tillë?

Arifi: Po pra, siç e ceka edhe më lartë, pandemia Covid-19 ka prekur të gjitha fushat, dhe pasoja sigurisht se do të kenë bujqit, afaristët, klubet sportive, arsimi, mediat, OJQ-të, e të tjera.

Por, më lejoni t’ju kujtoj se komuna e Bujanocit është prekur më herët me këto pasoja. Pra, viti 2019 ishte viti më i keq sa i përket bujqëve e afaristëve.

Kujtoj që asnjë dinarë nuk iu dha ndihmë bujqëve nga buxheti i komunës edhe pse iu kishin premtuar qysh në verën e vitit të kaluar.

E njejtë situata ishte edhe me afaristët lokal, të cilët në mungesë të parave, subvencionet iu zvarriten aq gjatë, sa që disa prej tyre i morën ato në natën e Vitit të Ri, kurse të tjerëve iu dhanë në fillim të këtij viti, edhe atë vetëm shuma simbolike, e aspak për zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.

Qasja e këtij pushteti ndaj qytetarëve se mjetet e tyre duhet t’u ndahen vetëm në pragë të zgjedhjeve lokale e ka dëshmuar edhe ngutia e shpalljes së konkurseve të njëpasnjëshme në muajt janar dhe shkurt.

Iu premtuan edhe studentëve bursat që do t’i marrin në muajin mars, gjithashtu iu premtua edhe aftësimi profesional shum të rinjeve që nga fillimi i vitit 2018 e kendej, por me të kuptuar se zgjedhjet po shtyhen, ky pushtet me logjikën e saj shtyu edhe pagesat e bursave aftesimin profesional, subvencionet për bujqit e ndërmarsit.

Pra, probleme ka pasur ky pushtet edhe më herët, e pasojat qytetarët po i bartin. Me rastin e shfaqjes së Covid-19, gjendja e tyre sigurisht që është vështirësuar edhe më shumë.

Partia Demokratike në programin e saj të përpiluar para gjendjes së jashtëzakonshme, ka paraparë edhe daljen nga kjo krizë, e cila do t’i servohet qytetarëve pasi të kalojë kjo gjendje, por për momentin PD si një hap të pavonuar mendon se Kuvendi Komunal i Bujanocit duhet të thirrë një seancë të jashtëzakonshme për masat që duhet të ndërmirren gjatë dhe pas pandemisë Covid-19.

Në këtë seancë do të mund të diskutohet edhe rebalanci i buxhetit pas gjithë kësaj gjendje.

Presheva.com: Në drejtim të PD-së janë lëshuar edhe kritika se nuk keni qenë bashkëpunëtor me pushtetin në gjendje të jashtëzakonshme. A mendoni se keni vepruar drejtë?

Arifi: Të gjitha ata që kanë gjetur kohë që këtë situatë ta shfrytëzojnë për të sulmuar Partinë Demokratike, ne e kuptojmë si mjet të tyre politik, të cilët edhe gjatë pandemisë mundohen që ta njollosin PD-në dhe mua si kryetar i saj.

Ata që kritikojnë, me gjasë këtë e kanë bërë për ta tërhequr vëmendjen e populatës nga problemet e tyre, siç isht problemi i rrogave për punëtorët e sektorit publik, që u vonuan për 3 javë.

Unë personalisht disa herë kam bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e ndërmarra nga organet kompetente, duke u munduar që sado pak të kontriboj në sensibilizimin e popullatës për të ruajtur shëndetin e tyre, duke qëndruar në shtëpi e duke iu shmangur kontakteve me njerëz sa më shumë.

Pra, besoj se ndihma më e madhe që mund t’i jepet çdokujt në këtë kohë është respektimi i masave të mbrojtjes së shëndetit publik. Unë nuk e di se çfarë do të mund të ishte ndihma jonë ndryshe për pushtetin lokal.

Ne jemi parti politike, nuk jemi as institucion shëndetësor që do të mund të siguronim vakcina apo maska e dorëza, e as ndonjë organizatë humanitare për të shpërndarë ndihma.

Pra, ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të japim kontributin tonë, por pushtetarët nuk kanë kërkuar ndihmë. Është dashur të organizohet ndonjë takim me gjithë përfaqësuesit politik, apo ndonjë seancë të kuvendit në distancë dhe aty çdo këshilltar ka pas mundësi të jep kontributin e vet.

Fundi fundit kryetari i komunes duhet të i ftoj dhe të organizojë këso takime, sikurse që janë duke u organizuar në vendet tjera.

Nëse dikush mendon se kontribut në këtë situatë të pandemisë është të shkohet në kabinetin e kryetarit për një foto, atëherë mendoj se gjithçka është politike, kurse Covid-19 nuk ka të bëjë me politkë dhe është armiku i padukshëm për të gjithë.

Presheva.com: Z.Arifi pas përfundimit të kësaj gjendjeje, pa dyshim se do të kemi edhe zgjedhjet lokale dhe parlamentare, cilat do të jenë ndryshimet sipash jush?

Arifi: Në gjendje normale, zgjedhjet tani më do të duhej të mbaheshin, dhe sot do të duhej që Partia Demokratike të festonte fitoren, por shfaqja e Covid-19 detyroi që mbajtja e zgjedhjeve të bëhet pas kthimit në normalitet.

Partia Demokratike ka bërë përgatitjet më herët për këto zgjedhje.

Siç jeni të informuar, ne kemi mbledhur rreth 1400 nënshkrime në kohë rekord për afro 6 orë, gjë të cilën partite tjera nuk e bënë. Tanimë, nga komisioni komunal zgjedhor jemi çertifikuar dhe në këto zgjedhje do kemi numrin rendor 1.

Qytetarët janë lodhur nga kjo qeverisje e cila përveç fjalëve, punë ka bërë shumë pak apo veç simbolike. Ata janë të gatshëm për ta ndryshuar qeverisjen lokale në Bujanoc dhe ne gjithashtu jemi gati për këtë.

Në rrafshin e zgjedhjeve parlamentare, nuk është se presim shumë, por ne jemi nënshkrues të marrëveshjes në Tiranë të inicuar nga ministri Cakaj për të dalë në këto zgjedhje me një listë të përashkët të partive shqiptare, dhe atë do ta respektojmë deri në fund.

Presheva.com: Si e vlerësoni ndihmën e qeverisë së Kosovës për Luginën në vlerën prej 500 mijë euro?

Arifi: Vendimi i qeverisë në detyrë i Republikës së Kosovës për ndarjen e ndihmave në vlerë prej 500 mijë euro për shqiptarët e Luginës së Preshevës është për t’u përshëndetur dhe vlerësuar lartë.

Qytetarët shqiptarë të Luginës asnjëherë më parë nuk kanë marrë ndihmë në këtë shumë kaq të madhe, dhe gjithësesi se është për çdo lavdatë.

Edhe në takimin që kam pasur me kryeministrin në detyrë kah fundi i vitit të kalur edhe në takime jo formale në këtë fillim vit, kam potencuar gjithnjë se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kanë nevojë për ndihmë më serioze nga qeveria e Kosovës.

Më gëzon fakti se kjo qeveri ka marrë seriozisht çështjen e shqiptarëve këtu, dhe urojmë që të gjenden sa më parë modalitetet financiare me qëllim që kjo paketë fiskale të arrijë sa më parë në Luginë, e mos të ketë pengesa të transaksioneve që jemi mësaur deri tani të kemi.

Presheva.com: Për fund, si e sheh PD funksionimin e KKSH-së?

Arifi: Euforia që ishte në fillim me kalimin e kohës është duke u zhdukur në KKSH.

Vlerësimin për KKSH-në do të mund ta jepja duke u bazuar në atë për çka thirret ky institucion. Në katër fushat ku është kompententë ky organ, në horizont duken shumë pak rezultate.

Akoma problem kryesor i pazgjidhur mbeten tekstet shkollore. Me sa e kujtoj, verën e vitit të kaluar u dha jehonë se po sigurohen tekstet, por megjithatë ishte vetëm propagandë, pasi edhe ky vit shkollor kaloi si vitet tjera.

Derisa në fushat tjera, si përdorimi i gjuhës zyrtare në institucionet publike pothuajse që as që është inicuar diçka në këtë drejtim.

Ndërkaq, në fushën e informimit dhe kulturës, përveç ndarjes së mjeteve nga konkursi që ishte bërë me të njejtin stil qysh i ka ndarë ky pushtet, nuk ka ndonjë rezultat të theksuar.

Presheva.com: Porosia juaj për qytetarët në këtë gjendje të jashtëzakonshme?

Arifi: Shfrytëzoj rastin që në fund kësaj interviste t’i drejtohem edhe një herë qytetarëve dhe t’i porosisë që të përmbahen edhe disa ditë, të mbajnë pastërtinë, t’iu shmangen kontakteve me njerëz të shumtë, të respektojnë udhëzimet nga institicionet relevante, dhe shumë shpejt do t’iu kthemi gjendjes normale.
Na duhet vetëm edhe pak durim./presheva.com/