SHPËRNDAJE

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi pati takim pune me përfaqësuesit e Hekurudhave të Serbisë. Fillimisht ai ka falënderuar zyrtarët për përfundimin e punëve në vendosjen e rampës automatike në vendkalimin mbi hekurudhë në fshatin Raincë. Ky projekt është i rëndësisë së veçantë për qytetarët e komunës sonë, i cili mundëson një nivel të lartë të sigurisë së kalimtarëve në këtë aks rrugorë që tani e tutje më nuk do të ketë viktima siç kemi pasur në të kaluarën, ka deklaruar Arifi. Në këtë takim theks të veçantë ka patur edhe problemi i rampës në Stacionin Hekurudhorë për pritjet e gjata me rastin e mbylljes së rampës. Sipas të parit të Preshevës ata kanë pranuar shqetësimin e tyre si shumë të arsyeshëm, mirëpo kanë kërkuar mirëkuptim nga drejtues të qeverisjes lokale dhe nga qytetarët pasi Stacioni Hekurudhorë njëkohësisht është dhe pikë kufitare dhe doganore dhe se në problematikën e rampës e interferojnë tek intitucionet e ndryshme shtetërore.

Sipas kryetarit Arifi si zgjidhje afatshkurtër janë dakorduar që të sinjalizojnë mbylljen e rampës me pajisje elektronike në kryqëzimin tek rruga për fshatin Zhunicë, që kalimtarët do të përdorin këtë rrugë alternative, duke iu shmangur kështu ndalesave dhe pritjeve të gjata. Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka konfirmuar për portalin preshevacom se në takimin me drejtues të institucioneve për hekurudhat kanë diskutuar edhe për zgjidhjet afatgjate, përmes ndërtimit të ndonjë mbikalimi apo nënkalimi, që për shkak të kostos së tyre të lartë, të angazhohen në të ardhmen që këto projekte të mbështeten nga Ministritë gjegjëse, për t’iu mundësuar qytetarëve tanë qarkullim normal dhe të sigurtë./presheva.com/