|
Arkelogjia
e territorit të komunës së Preshevës
Komuna
e Preshevës shtrihet në pjesën qendrore të
Siujdhesës Ballkanike. Territori i komunës së Preshevës
shtrihet në luginoren meridionale të Moravë-Vardarit,
e cila lidh përsëgjati këtë siujdhesë
mu në pikën ku takohen këto dy lugina të mëdha,
kjo është kërrusja e Preshevës. Nëpër
luginën e Moravë-Vardarit qysh nga periudha parahistorike
pandërprerë kanë lëvizur kultura të ndryshme
në drejtim jug-veri dhe anasjelltas. Pozitën gjeografike
të komunës së Preshevës e bën të
rëndësishme edhe shtrirja e saj në udhëkryqin
ku magjistralja e luginores së Moravë Vardarit prehet
nga një udhë e tërthortë ballkanike me rëndësi
të veçantë, e cila shtrihet në drejtim lindje-perendim
dhe lidh Ballkanin lindor me atë perendimor. Edhe në
këtë drejtim qysh nga parahistoria e këndej kanë
rrymuar kultura të ndryshme. Kështu, pozita e jashtërëndomtë
gjeografike si dhe kushtet e përshtatshme natyrore që
ka komuna e Preshevës, kanë bërë që territori
i saj të banohet qysh nga periudha e neolitit, e qe vazhdon
të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme,
te bronxit, të hekurit e deri në ditët tona. Është
e ditur se tërë Ballkani perendimorë dhe pjesa
më e madhe qendrore e tij në të kaluarën banohej
nga fisi ilir daradan, nga rrënja e pavenitur e të cilëve
padyshim janë shqiptarët e sotëm. Këtë
e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike,
kulturore-historike, gjuhesore, etnologjike etj.
Në territorin e komunës së Preshevës deri
më sot janë bërë hulumtime të parëndësishme
arkeologjike. Kryesisht është bërë rekognoscimi,
ndërsa gërmime të vogla dhe të pjesshme sondazhi
vetëm në dy vende: në Kështjellën e Bushtranit
(1977) dhe në Kacipup të Rahovicës (1977-78) nga
arkeologët serb. Është interesant të përmendet
se arkeologët e Muzeut popullorë të Vranjës
numrin më të madh të vendgjetjeve arkeologjike,
siç thonë vetë, e kanë rradhitur jo në
bazë të hulumtimeve në terren, po në bazë
të thënieve nga populli.
Vendgjetjet arkeologjike në territorin e komunës së
Preshevës janë të përhapura në tre breze
të gropës së Preshevës: në fushën
e Preshevës, në skajin e fushës (gërykat e
lumenjve në fushë, brigjet, podet dhe tarracat) dhe
në brezin malor. Gjatë rekognoscimeve të pjesëshme
të kësaj treve janë evidencuar dhjetra vendbanime,
varreza etj. që nga periudha e neolitit të hershëm
e deri në antikën e vonshme. Rekognoscimi i tridhjetëegjashtë
vendgjetjeve arkeologjike është bërë nga autori
i këty rreshtave (në Karadak të gjitha vendgjetjet
(19), në Fushën e Preshevës (6), në skajin
perendimor (9) dhe në skajin lindor (2).
Gjurmet më të vjetra të kulturës lëndore
në territorin e komunës së Preshevës datojnë
qysh nga periudha e neolitit të vjetër. Mirëpo,
është e mundshme që kjo trevë (për shkak
të pozitës gjeografike shumë të rëndësishme
dhe kushteve natyrore të përshtatshme) të jetë
banuar edhe në përiudhën e paleolitit, por ende
nuk kemi zbulime lëndore të kësaj periudhe, që
do të dëshmonte këtë mundësi.
|
|