SHPËRNDAJE

Prodhuesi gjerman këto ditë ka prezantuar modelet e reja të A1 dhe A1 Sportback të cilat do të jenë në shitje nga viti i ardhshëm.

Audi ka zbuluar fotografitë e para dhe detajet teknike të modeleve të rifreskuara të A1 dhe A1 Sportback, të cilët do të jenë të gatshëm për shitje nga viti i ardhshëm. Përveç ndryshimeve në dizajn, interesant është fakti se në paletën e motorëve gjenden edhe ata me tre cilindra. A1 i rifreskuar ka drita të reja, maskë të ndryshme të ftohësit dhe mbrojtës të ristilizuar.

Kurse prodhuesi gjerman ka bërë të ditur se që të dy versionet do të jenë të disponueshme në treg me 3 dhe 5 dyer, si dhe do të jenë për 2 centimetra më të gjatë. Por ndryshimet mezi vërehen në pjesën e pasme të veturave, përveç dritartave të stopit që i bëjnë këto vetura më unike. Pjesa e brendshme e veturës është e pajisur me versionin më të fundit të sistemit multimedial MMI, i cili ofron mundësi për lidhje me Wi-Fi për shumë pajisje mobile.

Por ata që kanë xhepat më të thellë dhe janë të gatshëm të paguajnë disa mijëra euro shtesë, atëherë ata do të mund të zgjedhin ngjyrën e enterierit dhe eksterierit, dizajnit të fellneve si dhe sistemin Drive Select, që i ndihmon ngasësit të ndryshojnë karakteristikat motorike. Risi në Audi A1 konsiderohet paleta e motorëve me tre cilindra me benzinë dhe naftë. Në versionin me benzinë, nën kapak gjendet motori me 1.0 litra TFSI turbo-benzinë me tre cilindra që prodhon 95 kuaj fuqi, derisa ai me naftë do të vjen me 1.4 litra TDI me tre cilindra që në total gjeneron 90 kuaj fuqi.

Sipas të dhënave zyrtare nga fabrika, motori me benzinë shpenzon 4.3 litra në 100 kilometra, derisa ai me naftë 3.4 litra. Përveç këtyre dy motorëve, në ofertë do të figurojnë edhe ai me 1.4 litra me benzinë me 125 kuaj fuqi dhe 150, si dhe me 1.8 litra me benzinë me 192 kuaj fuqi. Por nuk do të mungojnë as ata me 1.6 litra si me naftë ashtu dhe me benzinë.

Në kulm të ofertës do të vazhdojnë të jenë modelet S1 dhe S1 Sportback me motorë me 2.0 litra TFSI me benzinë që prodhojnë plotë 231 kuaj fuqi. Falë këtij motori të fuqishëm, Audi S1 është në gjendje që për 5.8 sekonda të arrijë shpejtësinë nga 0-100 km/h (S1 Sportback për 5.9 sekonda), ndërkaq shpejtësia maksimale është e kufizuar në mënyrë elektronike në 250 km/h.