SHPËRNDAJE

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një reagimi në Facebook ka thënë se fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet në vend e pastaj të bëhet dialogu. Ai ka shkruar se nuk mund të pretendojmë t’i normalizojmë raportet me Serbinë në të njëjtën kohë të kemi raporte jonormale institucionale brenda Kosovës.
Hoti edhe një herë ka paraqitur qëndrimin e tij dhe partisë së tij, duke thënë se para se të mbahet dialogu me Serbinë, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje, pasi, sipas tij, nuk ka raporte të mira institucionale.

“Nuk mund të pretendojmë t’i normalizojmë raportet me Serbinë, e në të njëjtën kohë të kemi raporte jo normale institucionale brenda në Kosovë. Gjendja aktuale në Kosovë nuk po prodhon normalitet të brendshëm, e as zhvillim në asnjë segment të jetës. Përkundrazi.

Së pari zgjedhje, pastaj dialog – është renditja e veprimeve politike që normalizon gjendjen politike dhe siguron stabilitetin institucional në Kosovë, si dhe krijon parakushtet për arritje të marrëveshjes dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Hoti.

Ai po ashtu ka thënë se nuk mund të vazhdohet rrugëtimi normal i Kosovës drejt BE-së kur situata e krijuar në vend e nxjerr nga binarët këtë rrugëtim.

“Për më tepër, nuk mund të vazhdohet rrugëtimi normal i Kosovës drejt BE-së kur situata e krijuar në Kosovë, e krijuar me angazhimin anti kushtetues të Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, e ka nxjerrë nga binarët këtë rrugëtim. Kjo situatë e rrezikshme gjeopolitike për Kosovën mund të riparohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja”, ka theksuar Hoti.

Ai ka shtuar se LDK-ja nuk do të ndalet në këtë përpjekje për të bindur të gjitha forcat politike për projektin.