SHPËRNDAJE

Kanë kaluar mbi dhjetë vjet tashmë që kur avioni Konkord kreu udhëtimin e tij të fundit duke kaluar Atlantikun.

Por shumë shpejt do të nisin fluturimet me një avion të ri supersonik, i cili pritet të arrijë një shpejtësi dy herë më të madhe se avionët e tanishëm civilë.

Edhe pse fillimisht këto avionë do të futen në përdorim vetëm për udhëtime private dhe biznesi, dhe do të mund të përdoren vetëm nga super të pasurit, shumë shpejt avioni supersonik do të bëhet mjet i rregullt transporti.
Avioni N+2, i ideuar nga një kompani amerikane, synon të realizojë për vetëm dy orë e gjysmë udhëtimin nga Nju Jorku në Los Anxheles, duke përshkuar mes për mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Avioni është ideuar të mbajë deri në 80 pasagjerë dhe do të punojë më tre motorë.

Ndërkohë, kompania Airbus po bashkëpunon me kompaninë amerikane Aerion për të krijuar një tjetër avion supersonik që do të bëjë të mundur udhëtimin nga Londra në Nju Jork për tre orë dhe nga Los Anxhelesi në Tokjo për vetëm gjashtë orë.
Gjithsesi, për të bërë të mundur ndërtimin e këtyre avionëve, është parashikuar që kostot do të kapin shifrën e 100 milionë dollarëve për një model, çka do të bëjë mjaft të kripur çmimin e biletës.

Megjithatë, punimet për avionët e përbërë nga fibra karboni janë në fazë të avancuar dhe brenda katër vitesh është parashikuar që të fillojnë fluturimet testuese, ndërsa brenda vitit 2022 mendohet të nisin fluturimet komerçiale.