SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDNJ), Belgzim Kamberi dhe Valon Arifi, si dhe Urim Nasufi nga Unioni i Afaristëve të Preshevës (UAP); janë takuar të premtën më 9 maj 2014, në selinë e KDNj në Preshevë; me Avokatin e Popullit nga Republika e Shqipërisë, z.Igli Totozani dhe me bashkëpunëtorët e tij.
Përfaqësuesit nga organizatat vendore joqeveritare njoftuan zyrtarët e institucionit të Avokatit të Popullit nga Republika e Shqipërisë, me shkeljet e ndryshme të të drejtave individuale dhe kolektive në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; veçmas në fushën e sigurisë, të përfaqësimit institucional, të arsimit, si dhe në fushat sociale e ekonomike etj.
Me këtë rast, ata biseduan edhe për pengesat procedurale dhe burokratike, rreth njohjes së diplomave të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë; si dhe rreth modaliteteve të nevojshme, që duhen ndërmarrur nga institucionet e ndërsjella përgjegjëse në Tiranë dhe në Beograd, për lehtësimin e procedurave dhe për njohjen e diplomave shqiptare nga ana e autoriteteve serbe.

Përfaqësuesit e KDNJ dhe UNP, kërkuan nga Avokati i Popullit të Republikës së Shqipërisë, që institucioni i tyre dhe mundësisht edhe institucionet e tjera shtetërore të Republikës së Shqipërisë, të ndihmojnë pos tjerash, instancat (jo)qeveritare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja; në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, sidomos lidhur me fushat e jurisprudencës dhe të të drejtave të njeriut në përgjithësi.
Si rezultat, Avokati i Populit dhe bashkëpunëtorët e tij shprehën gatishmërinë e institucionit të tyre, që të angazhojnë së shpejti, studentët më të zellshëm të juridikut nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja në Republikën e Shqipërisë; si praktikantë në institucionin e Avokatit të Popullit në Tiranë, për aftësimin e tyre me përvojat e tyre të punës.

Duke premtuar mbështetjen e institucionit të Avokatit të Popullit nga Republika e Shqipërisë; Z.Totozani inkurajoj KDNJ dhe UAP, por edhe gjithë organizatat dhe institucionet e tjera (jo)qeveritare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja; që të bashkëpunojnë me institucionin e Avokatit të Popullit dhe me strukturat e tjera (jo)qeveritare të kësaj natyre në Serbi; si dhe me homologët e tjerë të tyre në rajon; ku gravitojnë qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; e ku ata mund të përballen me probleme të natyrave të ndryshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut, njofton shërbimi për Informim i Këshillit për të Drejtat e Njeriut.