SHPËRNDAJE

Një tabiat i shëmtuar vijon prej vitesh në Kosovë, ku klube nate fusin në agjendën e fitimit edhe të ashtëquajturat Bajram-Parte, duke shfrytëzuar për lëndë të parë klientele të gjithë atë kontigjent njerëzor që, edhe pse vetëkonsiderohen muslimanë, nuk kanë aspak vetëdije fetare dhe e lënë veten të shfrënohen në festa që nuk kanë asnjë lidhje me kumtet apo mesazhet festive të barjameve, qoftë ai Fiter e qoftë ai Kurban.

Mjaft të shohësh që në menunë e party-ve për Bajram, ku alkoli jo vetëm serviret, por dhe potencohet si produkt e simbol i festës. Që do të thotë se nga ana tjetër, është një abuzim deri në fyerje për të gjithë atë komunitet besimtarësh, që festa e tyre të “vidhet” për arsye fitimi, diçka mes idiotësisë dhe maskarallëkut.

Dy bajramet në Islam, ato pra që kremtojnë besimtarët muslimanë gjatë një viti, kanë për qëllim e mesazh afrimin e njeriut me Krijuesin, këndelljen shpirtërore ndaj zbatimit me rigorozitet të urdhëresave të Tij, dhe të jetuarit sipas modelit të zbritur hyjnor. Dhe këtu nuk ka vend për asnjë lloj party.

Ndërsa në organizime të tilla, ftohen këngëtarë të ndryshëm me repertor pervers, e ku pra konsumohet dhe edhe alkool. E kjo nuk është festë apo nderim i festave fetare, por ofendim ndaj tyre.

Tesheshi.com ka biseduar me disa qytetarë të cilët e kundërshtojnë këtë formë të organizimit, duke shfrytëzuar festat fetare islame.

Kreshnik Azemi thotë se organizimet e tilla duhet ndaluar pasi që nuk është korrekte të bëhet organizim për nder të një feste dhe të festohet me gjëra rreptësisht të ndaluara nga feja të cilës i përket ajo festë.

“Kjo është e palogjikshme, është shfrytëzim i fesë për të përfituar materialisht. Këta organizatorë duhet të kenë kujdes, sepse në këtë mënyrë ata po i ofendojnë besimtarët e besimit islam, sepse festa e Bajramit nuk festohet në diskoteka e në lokale të ngjashme. Nuk e di a ka mundësi por një gjë e tillë do të duhej të ndalej nga shteti, edhe Bashkësia Islame do të duhej të ishte më e ashpër në këtë aspekt, sepse organizime të tilla janë ofenduese”, thotë ai.

Ndërsa Artan Hoti thotë se festa të tilla mund të nxisin reagime nga besimtarët dhe se pronarët e diskotekave dhe lokaleve do të duhej që ta kenë parasysh këtë.

“Ku po e gjejnë bash për Bajram me ba organizime të tilla, a nuk po ju dalin krejt ditët tjera gjatë vitit. Unë mendoj që këtu nuk e kanë fajin vetëm këta që organizojnë, por edhe këta që shkojnë, sepse nëse nuk ishin shkua rinia në gjëra të tilla, nuk do të bëheshin as organizime të tilla. Ky lloj i festimit është ofendim për besimtarët që tamam e respektojnë fenë, sepse ka njëri që ka agjëruar tërë muajin, apo prenë kurban, për nderë të Bajramit, ndërsa dikush thotë se po e festoj Bajramin në diskotekë. Dihet aty qysh festohet zhveshur, duke pirë alkool e krejt të këqijat”, thotë Hoti./tesheshi.com/

Nga Bashkim Kastrati