SHPËRNDAJE

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu priti në një vizitë në selinë e KMSH-së, Kreun e Bashkësisë Islame për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën (BIPBM), Myftiun e nderuar Nexhmedin ef. Saqipi, i shoqëruar nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesëtar të tjerë të kabinetit të tij.

Pasi shprehën urimet e tyre për zgjedhjen e z. Spahiu në krye të institucionit, Kryetari i Bashkësisë Islame të Luginës së Preshevës bëri një prezantim të gjendjes aktuale veçanërisht të besimtarëve dhe shqiptarëve të Luginës.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunim në fusha të ndryshme, arsim, tekste shkollore, libra fetarë e vizita të ndërsjella.

Nga ana e tij, Kryetari Spahiu i falënderoi për vizitën dhe urimet me rastin e zgjedhjes së tij në krye të KMSH-së, si dhe shprehu vullnetin e tij që marrëdhëniet e mira ndërmjet dy institucioneve fetare të intensifikohen më tej në të mirë të Islamit dhe besimtarëve myslimanë brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Në fund të takimit ata shkëmbyen disa dhurata simbolike ndërmjet tyre./presheva.com/