SHPËRNDAJE

Arsene Wenger përpiqet të injektojë doza optimizmi te Arsenali i tij në prag të ndeshjes së kthimit me Bayernin në Champions League. “Topçinjtë” udhëtojnë drejt Bavarisë në disavantazh 2-0 nga sfida e parë në “Emirates Stadium” e megjithatë tekniku francez beson se gjithçka është e mundur, ndërkohë që inkurajon në veçanti Mesut Ozil.

“Penalltia që humbi në ndeshjen e parë me Bayernin ka rënduar shumë mbi Ozil dhe në gjendjen e tij shpirtërore. Pas atij 11-metërshi, ai mendonte se e la në baltë skuadrën në një takim kaq shumë të rëndësishëm e gjithë kjo ndikoi rrjedhimisht në të gjithë takimin. Plagët shpirtërore ndonjëherë duan kohë që të shërohen. Mund të flasësh e të flasësh, por gjithçka ka kohën e vetë”, është shprehur tekniku francez.

Wenger gjithashtu pranoi se mesfushori gjerman nuk është përshtatur totalisht në Premier League pas transferimit nga Real Madrid, verën e kaluar.

Përballë bavarezëve në “Allianz Arena”, tekniku i Arsenalit shpreson në një deja vu, me londinezët që një vit më parë u mundën në shtëpi 3-1 dhe më pas fituan 2-0 në shtëpinë e gjermanëve.

“Në futboll asgjë nuk mund të quhet e mbaruar. Kam besim te skuadra, megjithatë gjithçka varet se kush do të shënojë i pari. E pranoj se statistikisht e kemi shumë të vështirë, por kam parë skenarë edhe më të rëndë në futboll. Për mua rëndësi ka që ekipi është në formë të mirë”, përfundoi Arsene Wenger.